Përgatiti: Fatlum Jashari
Tubimet me pjesëtarë të diasporës, gjithandej Evropës e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë e përbashkëta e partisë në pushtet dhe atyre opozitare, veçmas javëve të fundit.
Më pak se tre muaj deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare, votat e atyre që jetojnë jashtë vendit janë kthyer në cak të cilin e synojnë të gjithë.
Shtimin e aktiviteteve jashtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, e lidhi me, siç u shpreh, “forcimin e rolit të diasporës me ligjin e ri për zgjedhjet”, për çka merita i dha partisë së tij.
“Si Lëvizje Vetëvendosje, besojmë fuqishëm që ne qëndrojmë dukshëm më mirë sa i përket përkrahjes së mërgatës sesa subjektet tjera politike. Ata e kanë mundësinë që pas liberalizimit të vizave që është bërë falë Qeverisë Kurti, opozitarët në Kosovë, të bëjnë turizëm politik”, tha Abrashi.
Pasi tha se nuk duhet anashkaluar e injoruar mërgatën, deputetja e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu, tregoi se pse për një kohë nuk ishin aq të fokusuar sa tash te bashkatdhetarët.
“Pas çlirimit të vendit, pas pavarësisë, pas hapjes së ambasadave dhe konsullatave në gjithë botën, kemi dashur ta lëmë mërgatën të qetë, por kjo dëshirë e jona është keqpërdorur nga partitë e tjera. E kanë përçarë, e kanë mbushur mllef mërgatën, e kanë frustruar, dhe kemi rezultatet që kemi sot. Prandaj duhet t’i kthehemi mërgatës, ta trajtojmë me seriozitet”, tha Musliu.
“Vetë-stagnimi i kësaj Qeverie”, siç u shpreh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, është shkak i angazhimit të partisë së tij në diasporë.
“Meqë kemi mjaft mërgatë në diasporë, ne kemi menduar që t’i bindim që të mendojnë ndryshe dhe të votojnë për AAK-në, sepse me këtë qeveri janë të zhgënjyer”, tha Lekaj.
Sikur caku, partitë i bashkon edhe përgjigja për financimin e tubimeve gati të përditshme në shtete të ndryshme.
“Janë burime të ndryshme, mund të mbështetet prej degëve që subjektet i kanë atje, me vetëfinancim, me financim të miqve dhe familjarëve”, tha Abrashi.
“Unë personalisht sa herë shkoj, shkoj me faturën time dhe familjarët e mi që i kam atje, që prej paraluftës, d.m.th. i financojnë udhëtimet e mia”, tha Musliu.
“Ne kemi donacione nga mërgata. Por, edhe nga buxheti i partisë. Mendoj se ato duhet të jenë transparente, janë transparente, çdo cent i shpenzuar”, tha Lekaj.
Me ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, përveç me postë, diaspora mund të votojë edhe në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në shtetin ku jeton.