Përgatiti: Arton Hamiti
Kanë kohë të qëndrojnë në dritare, meqë për t’ua mësuar matematikën nuk erdhi asnjë mësimdhënës.
Në fakt, nxënësit e paraleles së ndarë të Shkollës Fillore “Zenel Salihu” në Pomozotin nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, ka më shumë se një muaj që orën e matematikës nuk e mbajnë. Mësimdhënësja është në pushim të lehonisë.
“Ne jemi të shqetësuar sepse fëmijët po mbesin mbrapa. Kanë shumë orë të humbura. Pastaj i kemi klasat e nënta. Ata e kanë edhe testin e arritshmërisë”, tha Gjulja Bërbatovci nga Këshilli i Prindërve.
Teksa prindërit janë të shqetësuar për orët e humbura, drejtoria thotë se askush nuk është i interesuar që të japë mësim si zëvendësues.
“Në kohë të rregullt dhe procedura të rregullta, ne kemi hapur tri konkurse, por nuk ka të interesuar. Në momentin që e kuptojnë se do të jenë vetëm si zëvendësim atëherë hezitojnë”, tha drejtori në SHFMU “Zenel Salihu”, Salih Jashanica.
Sidoqoftë, drejtori njoftoi se do të hapet edhe një konkurs, teksa dha zotimin se orët e humbura do të zëvendësohen.
“Brenda pesë ditëve mendojmë ta hapim edhe një konkurs dhe së bashku me mësimdhënësin e ardhshëm do ta bëjmë planin dhe orët do të zëvendësohen nga aty ku ka mbetur dhe të gjitha orët do të zëvendësohen”, tha Jashanica.
Paralelja e ndarë e shkollës fillore “Zenel Salihu” u ndërtua në vitin 2015 dhe numëron rreth 200 nxënës.