Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri. Ekzekutivi tha se në këtë mënyrë synon dokumentimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë.
Ai do të themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, ndërsa pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muze si institucion, bëri të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Në një konferencë për media, Çeku tha se për ndërtimin e këtij institucioni, kanë siguruar buxhetin e nevojshëm.
“Muzeu i Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri ka për synim dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Muzeu fillimisht do të themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, ndërsa menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit për muzetë që akutualisht është në proces të hartimit ky institucion ngritët në nivel të një institucioni muzeal të nivelit kombëtar. MKRS do të nis të gjitha hapat përkatës. Për këtë qëllim tashmë kemi siguruar edhe buxhetin e nevojshëm, po ashtu do të vendoset në ndërtesën ku aktualisht vepron MKRS”, tha Çeku .
Për këtë muze, ai tha se kanë qenë në komunikim edhe me disa shtete që kanë përvojë të dalluar në çështjen e muzealizimit dhe të prezantimin të së kaluarës.
“Fillimisht si hapi i parë ne fillojmë hartimin e detyrës projektuese që i paraprin shpalljes së konkursit ndërkombëtar për hartimin e projekteve. Pra, ndërtesa ekziston, bëhet detyra projektuese dhe shpallet konkursi për projekt. Momentin që e kemi studion e arkitekturës që kontraktohet fillon periudha e hartimit të projekti që nuk është vetëm arkitekt unik, por e ka edhe komponentën e konceptimit muzeal dhe koraterial, në fund del edhe kostoja për realizmin. Deri tash kemi qenë në komunikim edhe me disa shtete që kanë përvojë të dalluar në çështjen e muzealizimit dhe të prezantimit të së kaluarës atracitcare dhe besoj se në këtë kuptim do të kemi edhe bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar ekspertizën e nevojshme, sepse duam që ta ndërtojmë një institucion që është reprezentativ dhe i nivelit botëror”, nënvizoi Çeku .
Ai tha ky institucion do të ta ketë ndërtesën kryesore në Prishtinë, në objekt të MKRS-së.
“Misioni të cilin do ta ketë ky institucion e bënë totalisht të ndryshëm nga nisma e para disa viteve që ka qenë në raport me vendosjen e një institucioni tjetër publik në atë ndërtesë. Natyrisht ne kemi zhvilluar të gjitha konsultimet, ndërsa te vendimi që të zgjedhim pikërisht këtë ndërtese kemi ardhur pasi që i kemi pas në shqyrtim të paktën pesë opsione. Grupi Punues ka diskutuar edhe opsionet jo vetëm në Prishtinë por edhe në vendet tjera, më i përshtatshmi për shkak të qasjes dhe ndodhjes është zgjedhur ndërtesa e Ministrisë së Kulturës”, tha Çeku .
Në votimin për themelimin e këtij muzeu ka abstenuar ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.
“Janë disa muze të vegjël në gjithë Kosovën që dokumentojnë këto krime nga e kaluara dhe besojmë mënyra më e mirë do të jetë që të gjitha këto të bëhen pjesë e këtij institucioni të ri muzeal të Kosovës… Ndërsa, sa i përket ministrit Rashiq, ne kemi diskutuar edhe më herët kur është themeluar grupi punues, kemi qenë shumë të kujdesshëm që të trajtojmë në një forme perspektivën e tij në lidhje me këtë institucion, mirëpo pika u pajtohemi të gjithë është që e kaluara jonë është ajo që është dhe detyra jonë është të tregojmë ashtu si është”, tha Çeku.
Në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 civilë në luftën e fundit më 1998-1999. Ndërkaq, mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur./KP