Përgatiti: Kastriot Tahiri
Po enden në oborrin e shkollës, por këta fëmijë mësimin rrezikojnë të mos e fillojnë të premten e 1 shtatorit, pasi rinovimet në objektin e shkollës zor që do mund të kryhen brenda ditëve të mbetura.
Kjo është gjendja e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri” në fshatin Miradi e Epërme, në komunën e Fushë Kosovës, sipas banorëve kompania e cila është kontraktuar nga komuna tash e 5 ditë, nuk është duke punuar këtu.
Përkundër gjendjes në terren, nga komuna janë optimistë se punimet do të kryhen brenda afatit.
Punimet sipas kontratës nuk janë larg përfundimit dhe po punohet e nëse nuk kryhet krejt, kemi me punu edhe të shtunën e të dielën. Për renovimin e këtyre shkollave kemi pasë 1 muaj e gjysmë kohë, e pamjaftueshme, edhe por mësimi do të përfundojë”, tha Fatlum Berisha nga DKA në Fushë Kosovë .
Veçse një gjë të tillë nuk po e besojnë as stafi i kësaj shkolle.
“Nuk është në rregull, as shkolla e as kopshti, nuk e di, edhe banorët janë të shqetësuar për këtë. Po i marrin tenderët shkel e shko këtu nuk po punohet”, tha Ahmet Nishori, punëtor teknik.
ATV-ja ka mësuar se punimet në këtë shkollë fillore, e cila është e ndarë në tri paralele, do të duhej të fillonin që me një korrik, por punimet aty kanë filluar tek para 10 ditësh. Madje, nga këto ditë vetëm në 5 prej tyre është punuar, meqë u ndërprenë për shkak të punimeve jocilësore.
Përveç shkollës “Vëllezërit Frashëri”, edhe shumë shkolla të tjera në tërë territorin e Kosovës janë në rinovim e sipër, pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor. Kjo praktikë e vonimit të përgatitjeve është e papranueshme për njohësit e arsimit.
“Vonesat e komunave në përgatitje afër shtatorit ka qenë problem i kamotshëm. Është e papranueshme se si në të gjithë ata muaj pushim punimet të vazhdojnë edhe në shtator”, tha Rinor Qehaja, instituti “Edd Guard”.
Ministria e Arsimit nuk ka treguar për ATV-në se sa objekte shkollore në nivel vendi janë në renovim e sipër.