Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza njoftoi të premten se 50 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në enklavën palestineze që nga mesnata, shkruan Gazeta sinjali.
“Numri i martirëve të vrarë nga bombardimet izraelite që në shënjestër patën shtëpi civile në veri të Rripit të Gazës mes mesnatës dhe mëngjesit të hershëm është rritur në 50… Ekipet tona ende janë duke punuar në ato zona,” tha zyrtari i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Mohammed al-Mughayyir, për AFP, raporton “The Guardian”.
Në Spitalin Indonezian, një gazetar i “Associated Press” numëroi të paktën 20 trupa të pajetë, ndërsa të mbijetuarit raportuan se shumë persona vazhdojnë të jenë nën rrënoja.
Sulmet izraelite në Gaza po zhvillohen në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump po përmbyll vizitën e tij në vendet e Gjirit Persik, pa kaluar në Izrael. Bllokada izraelite e ndihmave në Gaza ka hyrë tashmë në muajin e tretë. Trump ka shprehur dëshirën që SHBA ta bëjnë Gazën “zonë të lirisë”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar vazhdimin e përshkallëzimit të forcës me qëllim shkatërrimin e Hamasit.
Në një zhvillim tjetër, ushtria izraelite vrau pesë militantë në Bregun e pushtuar Perëndimor, disa orë pasi një grua shtatzënë u vra nga të shtënat me armë zjarri. Grupi Xhihadi Islam deklaroi se pesë anëtarë të tij u vranë gjatë një përleshjeje me forcat izraelite në qytezën Tammun, por nuk u konfirmua lidhja e tyre me ngjarjet e mëparshme.