Përgatiti: Kastriot Tahiri
Gjykata ka vërtetuar akuzat e Prokurorisë se Arsim Limani, një vit më parë, tentoi të privojë nga jeta gazetarin Alban Selimi, përmes vënies së flakës së garazhit në shtëpinë e tij.
Për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, Limani të enjten u dënua me katër vjet burgim.
“Andaj gjykata të njëjtin e gjykon me dënim me burgim prej katër vjet duke e llogaritur edhe dënimin e shqiptuar edhe kohën e kaluar në masën e paraburgimit dhe atë të arrestit shtëpiak nga data 18 mars 2023 deri me datën 15 shkurt 2024”, tha kryetarja e grupit gjykues, Medie Bytyçi.
Limani u obligua të paguajë 300 euro për shpenzimet e procedurës penale dhe 500 në fondit për kompensimin e viktimave të krimit, të gjitha këto në afat kohor prej 15 ditësh.
E kënaqur me vendimin e Gjykatës, është edhe pala e dëmtuar.
“Ajo që dihet është që personi tashmë i dënuar për veprën penale nuk ka treguar se cila ka qenë motivi dhe shtytësi i kësaj i vepre dhe kjo do te jetë një dilemë që do të më përcjell. Dihet që hetuesia e ka humbur një CD gjatë procesit gjyqësor dhe po shpresoj që prokuroria e shtetit të hetoj atë pjesë dhe të dihet cili ishte arsyeja që humbi CD-ja një proces kaq të ndjeshëm kur sulmohet një gazetar”, tha gazetari i RTK-së, Alban Selimi.
“Për momentin jemi të kënaqur edhe me rrjedhën e gjykimit, një gjykim i shpejt dhe me konkludimin dhe gjykim që sot ka ardhur në gjykimin gjyqësor”, tha Kujtim Kërveshi, avokati mbrojtës i gazetarit Alban Selimit.
Gjatë gjykimit, i akuzuari e kishe pranuar veprimin e vënies së zjarrit në shtëpinë e të dëmtuarit, por sipas tij nuk kishte pasur qëllim të lëndoj askënd dhe se veprimet e tij e kishte bërë me qëllim të lënies së një mesazhi.
Ngjarja kishte ndodhur më 16 mars të vitit të kaluar në Fushë-Kosovë, ku i akuzuari, ishte afruar tek dera e garazhës dhe kishte hedhur një shishe benzinë të ndezur me ç’rast garazhën e kanë përfshirë flakët. I njëjti në duart e policisë kishte përfunduar tri ditë më vonë.