Përgatiti: Pranvera Krasniqi
31 gjoba janë shqiptuar ndaj farmacive nga Inspektorati Farmaceutik vetëm në dy muajt e parë të këtij viti. Kjo përbën 10 gjoba më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Parregullsia më e shpeshtë në të cilën kishin hasur gjatë inspektimeve, thuhet të jetë shitja e barnave, përkatësisht antibiotikëve, pa recetë mjekësore.
“Varësisht nga shkeljet e takuara janë marrë masa komfort dispozitave ligjore në fuqi: për dhënie të produkteve pa recetë të mjekut në mesin e të cilave hyjnë edhe antibiotikët, për produkte ilegale, mungesë farmacisti përgjegjës apo zëvendësues, si dhe për parregullsi të tjera”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Farmaceutik.
Farmacisti Arbnor Alidemaj thotë se pacientët që kërkojnë barna pa recetë, e kanë detyrë t’i këshillojnë që fillimisht të konsultohen me mjekun.
“E kemi qendrën afër këtu, u themi të shkojnë të konsultohen me mjekun mandej me rekomandim të tyre t’i marrin barërat”, tha Alidemaj.
Mirëpo vlerëson se shumica e qytetarëve janë të vetëdijshëm për këtë. Sipas tij, pa udhëzim të mjekut, kërkohen barëra më të thjeshta.
“Rrallë aty këtu, zakonisht vetëm ilaçet pak ma të thjeshta…paracetamol…”, tha Alidemaj.
Gjatë vitit 2023, inspektorati kishte shqiptuar 249 gjoba ndaj farmacive.
Përpos gjobave, Inspektorati Farmaceutik, për procedura të tjera ligjore, këto lëndë i dërgon në Odën e Farmacistëve të Kosovës, për marrjen e masave ligjore ndaj stafit profesional farmaceutik.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: