28 nëntori nuk është festë zyrtare në Kosovë. Nëse shikohet kalendari i festave zyrtare, në Kosovë si të tilla shënohen viti i ri, dita e pavarësisë, dita e kushtetutës, dita e punës, dita e Evropës bajrami, edhe i madhi edhe i vogli, pashkët katolike, pashkët ortodoksë, krishtlindjet katolike dhe krishtlindjet ortodokse.
28 nëntori si ditë e shqiptarëve, në kushtetutë është e barabartë me 12 qershori që shënohet si Dita e Paqes, jo Dita e Çlirimit, pastaj me 6 marsit si ditë të veteranëve, 23 prillin dita e turqve, 8 prilli si ditë e romëve, 15 shkurti si ditë e ashkalinjëve, 6 maji si ditë e goranëve dhe 28 shtatori si ditë e boshnjakëve.
Tentimi i mëhershëm që ditë memorialë të jetë edhe Vidovdani si ditë e serbëve nuk ka kaluar në Kuvend.
Kuptohet, ajo çka bën Qeveria e Kosovës, ndër vite e breza, është që ta shpallë 28 nëntorin ditë pushimi me vendim të posaçëm. Nëse edhe lidhet me Black Friday e manej me vikend – Jetë oj Jetë!
Mirëpo, nëse flasim realisht, punë e madhe që nuk është festë shtetërore. Kjo nuk e ndal asnjë shqiptar të Kosovës ta përjetojë dhe ta festojë 28 nëntorin qysh ai do!
Mirëpo, ne e kemi një farë tendence që me lojë fjalësh të hutohemi dhe t’ia komplikojmë vetes jetën. Dosti jonë Nexh Spahiu thotë se debilat në Kosovë i gjen lehtë. Nëse thonë Teatri Kombëtar i Kosovës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës dhe më pas thotë se nuk ekziston kombi kosovar.
Nga kjo analogji lehtë është të konstatohen paradokset, nëse Kosova nuk është komb pse po kërkon të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara, pse po garon në Ligën e Kombeve etj etj.
Kuptohet, unë nuk e kam aftësinë e Nexhit me ua përcaktu IQ-në njerëzve, mirëpo, shumë më shumë se Nexhi e njoh historinë e sportit për shembull.
Kjo është një pamje nga një takim miqësor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë para pavarësisë, para FIFA-s para më shumë se 20 vjetëve.
Dy gjëra vërehen – e para ALAMET EKIPE – Beselica, Luan Tabaku, Fadil Berisha, Ynall Duraku, Toverlani, Adil Vokrri, Kushtrim Munishi papapa…
E dyta – lojtarët e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk e kanë telashe ta konsiderojnë vëllezër njëri – tjetrin!
Tash, rreth këtyre dy ekipeve kombëtare, mushen studiot televizive me ekspertët të futbollit dhe budallë të tiktokut e reality showeve flasin rreth asaj a duhet të ketë Kosova ekip kombëtar, a duhet të ketë ligë të veten dhe broçkulla të ngjashme.
Mirëpo, problemi nuk është te figurat publike që dalin në ekran pse janë budallë. Problemi është te politikanët manipulues.
Duke kontestuar shtetësinë e Kosovës dhe qëndrueshmërinë e këtij shteti me deklarata të tipit Kosova është shtet i përkohshëm ose e zhvendosim doganën nga Morina në Merdar jo veç që rrehet opinioni, por edhe tentohet të mbulohet mos puna dhe dështimi sistematik.
Politika në Prishtinë dhe në Tiranë asnjëherë nuk ka punuar seriozisht për tekste të përbashkëta shkollore, për misione të përbashkëta diplomatike, për projekte të përbashkëta filmike e kulturore, për financime të përbashkëta të arkeologjisë, kulturës, historisë.
Politika në Prishtinë dhe Tiranë asnjëherë bizneseve nuk ua ka prishë interesat që kanë pasur të bëjnë me domate, patate, cement, krunde.
Mirëpo, politika as në Prishtinë, e as në Tiranë nuk i ka ndalur kosovaret që të vërshojnë Shqipërinë çdo vikend, përfshi këtë që nisë nesër dhe atje të lënë miliarda Euro si turistë.
Politika nuk i ka ndaluar njerëzit ti gëzohen sukseseve sportive të të dyja shteteve, të krijojnë një treg të përbashkët muzikor, nuk i ka ndaluar kompanitë kosovare të blejnë marketing në televizione të Shqipërisë e as biznismenë të Shqipërisë të blejnë media në Kosovë.
Politika nuk i ka ndalur lidhjet emotive dhe familjare midis njerëzve, politika nuk e ka ndalë dhe nuk mund ta ndalë krenarinë e shqiptarëve.
Çka politika mund të bëjë është të nxisë konflikt dhe përçarje duke bërë lojëra fjalësh dhe duke krijuar konflikte personale të politikanëve, që më pas përshkallëzojnë në konflikte ndër shtetërore.
Pra, nëse e sulmon ose mohon shtetësinë e Kosovës nuk je shqiptar më i madh, je veç viktimë e një ideologjisë!
Nëse e mban flamurin e Shqipërisë dhe Amerikës në zyre në Kosovë, as nuk je shqiptar më i madh, as amerikan. Je veç një shkelës i protokollit dhe i ligjit.
Nëse je kosovo-centrist, je prapë viktimë e një ideologjie, nuk je më përparimtar se unionistët me automatizëm!
Nëse ligjërata për kombin dhe identitetin kombëtar dëgjon nga politikanët, tifozët e futbollit, ose budallët e tiktokut – je veç një njeri për gjynah!
Nëse ndjehesh krenar që je shqiptar, nuk ka nevojë politika të ta diktojë ndjenjën dhe def nga shqiptarët krenarë nuk ka nevoje dikush të ndjehet i kërcënuar!
Loja me fjalë, që nga emërtimi i institucioneve, e deri tek komunikimet zyrtare e përkthimet e librave shkencorë, ka shkaktuar më shumë huti sesa qartësi. Ama, zemra nuk t’rren, nëse je
shqiptar festo, punë e madhe që nuk është festë shqiptare edhe punë e madhe çka thotë politika!
Gëzuar!