Përgatiti: Sara Shehu
Ditëve të fundit në disa shkolla të Komunës së Gjakovës janë evidentuar 14 raste të prekura me zgjebe, sëmundje kjo ngjitëse e cila bartet me kontakt fizik.
Ekipet mjekësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare kanë zbuluar rastet përgjatë vizitave sistematike të cilat po i realizojnë nëpër shkolla sidomos në zonat rurale.
Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Adelina Shehu-Kola, tha se nxënësit e prekur nga zgjeba janë izoluar në shtëpitë e tyre.
“Drejtoria e Arsimit kanë vërejtur disa mungesa të nxënësve si shkak disa shqetësimeve dhe kanë kërkuar që të dërgohen disa ekipe mjekësore në ato shkolla. Janë dërguar 4 ekipe, ku është bërë evidentimin disa nxënësve me zgjebe, janë kryesisht në disa shkolla në zonat rurale dhe situate është nën kontrolle, Pra, prej datës -09 e deri më sot nuk kemi identifikuar ndonjë rasti të ri, janë vetëm këto 13 raste , janë marrë të gjitha masat, janë dezinfektuar klasat dhe fëmijët e prekur me zgjebe janë të izoluar sipas udhëzimeve të IKShPK-së, nxënësit janë prej 6 vjet deri në 12”, tha Shehu-Kola.
ATV-ja ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike lidhur me numrin e rasteve me zgjebe në nivel vendi por të dhëna nuk janë ofruar.
Megjithatë lidhur me zgjeben në komunën e Gjakovës specialisti i Shëndetit Publik nga IKSHPK-ja, Faik Hoti tha se situata është stabile.
“Bëjmë monitorimin nonstop përfshirë zgjebën ne kemi informacione sporadike por që të qartësojmë që zgjeba menaxhohet dhe se nuk është e rrezikshme. Për në komunën e Gjakovës jemi në kontakt në mënyrë që secilit rast t’i bëhet zgjidhje dhe të menaxhohen. Është një sëmundje kontakti infektive, por jo në të gjitha rastet përhapet nga mosmirëmbajtja e higjienës. Me rëndësi duhet të dezinfektohen këta persona”, tha Faik Hoti, specialist i shëndetit publik, IKSHPK.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, vitin e kaluar janë regjistruar mbi 800 raste me zgjebe në gjithë Kosovën.