Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka shpallur programin e Galerisë Kombëtare të Kosovës për vitin 2026, i cili përfshin gjithsej 10 ekspozita me theks të veçantë në tema bashkëkohore si gjinia, klasa, migrimi dhe raporti me të kaluarën.
Sipas njoftimit zyrtar, programi synon të reflektojë mbi politikat shoqërore dhe kulturore që ndikojnë praktikat artistike sot, duke forcuar rolin e Galerisë Kombëtare të Kosovës në ndërtimin e narrativave kritike, gjithëpërfshirëse dhe bashkëkohore.
Viti 2026 konsiderohet si një kapitull i ri për këtë institucion, si në aspektin e zgjerimit të kapaciteteve fizike, ashtu edhe në përpjekjet për të sfiduar narrativat margjinalizuese dhe patriarkale që kanë shoqëruar historinë e tij.
Programi i këtij viti karakterizohet nga një përfaqësim i theksuar i artisteve gra, përfshirë disa ekspozita personale që do të prezantohen për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Në hapësirat e Galerisë Kombëtare do të prezantohen rihapja e Koleksionit të GKK-së, ekspozita retrospektive e artistit Xhevdet Xhafa, ekspozita personale e Doruntina Kastratit, si dhe edicioni i 15-të i Ekspozitës Ndërkombëtare “Muslim Mulliqi”.
Ndërkohë, në hapësirën GKK QAFA do të mbahen ekspozita personale të Bora Baboçit, Laureta Hajrullahut, Albe Hamitit, Anita Muçollit dhe Stephanie Rizajt, si dhe ekspozita grupore “Shtëpi”, Edicioni II.
Përveç ekspozitave, Galeria Kombëtare e Kosovës do të vazhdojë edhe programet e edukimit dhe hulumtimit përmes punëtorive, ligjëratave, diskutimeve dhe programeve të ndërmjetësimit, me qëllim afrimin e publikut me artin bashkëkohor.






