14.7 C
Pristina
Thursday, March 26, 2026

1 prilli afër, kur do të vendosë ZRrE për shtrenjtimin ose jo të rrymës?

1 prilli po afron, e Zyra e Rregullatorit të Energjisë ende nuk ka përfunduar me shqyrtimin e aplikimeve të KOSTT’it, KEDS’it dhe KESCO’s, të cilat kanë kërkuar rritje rreth 20% të çmimit të rrymës në vend. Pas finalizimit të këtij procesi, do të përgatitet Raporti Konsultativ, e më pas do të hapet konsultimi publik. Pas shqyrtimit të komenteve, Bordi do të mblidhet e do të vendos përfundimisht për tarifat. Data ende nuk dihet, ndonëse tarifat parashihet të hyjnë në fuqi nga muaji tjetër.

Kosova është afër të përballet me një tjetër shtrenjtim të rrymës, i katërti në katër vitet e fundit. Kërkesa është që të ketë rritje për mbi 20%, shtrenjtim që është kundërshtuar edhe me protestë para rreth dy muajve.

Kompania për furnizim me energji elektrike, KESCO, në aplikimin e dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, ka kërkuar rritje prej 21.3 përqind të çmimit të energjisë për vitin 2026. Kërkesë për rritje ka pasur edhe nga KEDS dhe KOSTT’i. Aplikimet po vazhdojnë të shqyrtohen.

Nga ZRRE kanë deklaruar për Reporteri.net se janë në procesin e finalizimit të shqyrtimit të aplikimeve dhe se më pas do të publikohet Raporti Konsultativ, që i paraprin hapjes së konsultimit publik.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është aktualisht në procesin e finalizimit të shqyrtimit të aplikimeve të dorëzuara nga operatorët e licencuar (përfshirë KESCO, KEDS dhe KOSTT). Pas finalizimit të këtij shqyrtimi, ZRRE do të përgatisë dhe do të publikojë Raportin Konsultativ, me qëllim që të hapë procesin e konsultimit publik dhe të marrë komentet nga të gjitha palët e interesit”, kanë deklaruar nga ky institucion.

Pas shqyrtimit të komenteve të pranuara, do të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE’së ku do të vendoset përfundimisht mbi tarifat, teksa data ende nuk dihet.

“Pasi të përfundojë periudha e konsultimit publik dhe të shqyrtohen të gjitha komentet e pranuara, pritet që të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së për shqyrtimin përfundimtar dhe marrjen e vendimit lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike. Data e saktë e mbledhjes së Bordit do të njoftohet publikisht në kohën e duhur, në përputhje me procedurat e ZRRE-së. Duke qenë se ZRRE është ende në fazën e shqyrtimit të aplikimeve dhe përgatitjes së Raportit Konsultativ, procesi i konsultimit publik nuk ka filluar ende”, kanë deklaruar nga ZRRE për Reporteri.net.

KESCO ka kërkuar që të hyrat maksimale për këtë vit të jenë 528.78 milionë euro.

“FSHU vlerëson se reflektimi real i këtyre kostove në procesin tarifor është i domosdoshëm për të garantuar që shërbimi universal të mbetet funksional, i qëndrueshëm dhe i aftë për të përmbushur obligimet ligjore ndaj konsumatorëve. Nëse këto kosto nuk pasqyrohen në mënyrë adekuate, rrezikohet ndjeshëm furnizimi i qëndrueshëm. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se nënvlerësimi i kostove krijon vështirësi operacionale dhe përsëritja e një qasjeje të tillë do të rrezikonte të prodhonte sfida të ngjashme edhe në të ardhmen”, thuhet në kërkesën e KESCO.

Vjet kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja ia pati aprovuar 436 milionë euro.

KEDS’i ndërkohë ka kërkuar që të hyrat maksimale për të të jenë 235 milionë euro apo 55 milionë më shumë sesa që ia pati aprovuar vjet ZRRE-ja.

“Çfarëdo tendence për të zvogëluar kërkesën e OSSH-së do të rrezikoj likuiditetin financiar të OSSH-së dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike. Për me tepër, kjo do të ndikonte
negativisht në kapacitetin e OSSH-së për të përmbushur detyrimet e tij dhe do të minonte besimin e konsumatorëve dhe investitorëve në sektorin energjetik. Në këtë kontekst, kërkojmë një reflektim të drejtë dhe të plotë të kostove të nevojshme për operimin e OSSH-së, për të siguruar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në të ardhmen. Rregullimi i drejtë dhe i saktë i të hyrave të lejuara është kyç për garantimin e një sektori energjetik të qëndrueshëm dhe të besueshëm për konsumatorët dhe ekonominë e Kosovës”, thuhet në kërkesën e KEDS.

Ndërsa kërkesa e KOSTT’it është 99 milionë euro apo rreth 11 milionë më shumë sesa ZRRE-ja ia pati aprovuar më 2025.

“Kërkesa e KOSTT për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026, në vlerën prej 99,383,831.20 euro, synon të sigurojë operim të qëndrueshëm të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët dhe të ruajë stabilitetin financiar të KOSTT-it…Duke marrë parasysh dinamikën e zhvillimeve në sistemin e transmetimit, në përputhje me kërkesat e ENTSO-E, është me rëndësi jetike mbështetja e projekteve të reja, ndryshimet në projektet ekzistuese, si dhe kërkesat për shpenzime operative”, thuhet në kërkesën e KOSTT’it.

Shqyrtimi dhe caktimi i tarifave të energjisë elektrike bëhet çdo vit nga ZRRE, të cilat shpallen më 1 prill dhe janë në fuqi deri më 31 mars të vitit pasues.

Vitin e kaluar kishin hyrë në fuqi nga 1 maji, kur rryma ishte shtrenjtuar për 16 përqind.

Shtrenjtim të rrymës ka pasur edhe në vitin 2022, kur rryma ishte shtrenjtuar për 14 përqind, teksa rritja paraprake kishte qenë në vitin 2022.

Më 6 shkurt është mbajtur edhe një protestë kundër shtrenjtimit të rrymës.

Protesta kishte filluar nga ndërtesa e KEDS-it, ku ishin mbledhur fillimisht qytetarët dhe më pas marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë.

Ata mbanin pankarta me mbishkrimet: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Nji popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës”.

Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se të kundërshtojë tarifat e reja të energjisë elektrike, në rast se ka rritje.

“Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në çdo rast kur çështja e rritjes së çmimeve ka qenë në diskutim. Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik”, kishte deklaruar për Reporteri.net, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.

Njëjtë kishte vepruar edhe vitin e kaluar, kur ishte shtrenjtuar rryma./Reporteri.net

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA