Dogana e Kosovës ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, pasi atasheu i saj në Organizatën Botërore të Doganave (WCO), Bekim Mehmetaj, është nderuar me një medalje prestigjioze, duke u renditur ndër atashetë doganorë më të dalluar të kësaj organizate.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt në Bruksel, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Doganave, në praninë e përfaqësuesve të lartë institucionalë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të WCO-së, Ian Saunders, si dhe autoritete të tjera evropiane dhe belge.
Gjatë ceremonisë u theksua profesionalizmi, qasja proaktive dhe përkushtimi i Mehmetajt në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar doganor, duke e cilësuar atë si shembull frymëzues për komunitetin doganor global.
Me mbi 20 vjet përvojë në Doganën e Kosovës, Mehmetaj ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin institucional, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në forume dhe struktura të rëndësishme doganore.
Dogana e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin për promovimin e standardeve më të larta të integritetit dhe profesionalizmit në nivel ndërkombëtar. Republika e Kosovës është anëtare e Organizatës Botërore të Doganave që nga viti 2017, organizatë që përfshin 187 administrata doganore dhe mbulon rreth 98 për qind të tregtisë globale.






