Paris Saint-Germain ka zyrtarizuar transferimin e shumëpritur të Ferran Torresit nga Barcelona.
Sulmuesi spanjoll ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me kampionët francezë, e cila do ta mbajë në Paris deri në vitin 2031. Për transferimin e tij, PSG-ja raportohet se do t’i paguajë Barcelonës 50 milionë euro.
Zyrtarizimi i marrëveshjes është bërë sot, të shtunën, përmes faqes zyrtare të Paris Saint-Germain, ku klubi ka zbuluar edhe numrin që Torresi do të mbajë në fanellë.
“Paris Saint-Germain ka kënaqësinë të njoftojë mbërritjen e Ferran Torresit. Sulmuesi spanjoll, kampion bote, ka nënshkruar me klubin deri në vitin 2031 dhe do të mbajë numrin 9”, thuhet në njoftimin e PSG-së.
26-vjeçari vjen në Paris pas një periudhe te Barcelona, ndërsa së fundmi ishte bërë një nga emrat kryesorë të kombëtares spanjolle pas paraqitjeve të tij në Kupën e Botës 2026.
Transferimi i Torresit është shtyrë përpara edhe nga trajneri i PSG-së, Luis Enrique, i cili e njeh mirë sulmuesin nga koha kur e ka drejtuar te kombëtarja e Spanjës.
Me largimet e Randal Kolo Muanit dhe Gonçalo Ramosit, Enrique e ka parë Torresin si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv të kampionëve francezë.
Torresi, nga ana tjetër, thuhet se ka refuzuar një ofertë rinovimi nga Barcelona për t’u ribashkuar me Luis Enriquen dhe për të nisur një aventurë të re në Paris.





