Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që për këtë vit të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.
Në një komunikatë për media, ZRRE-ja ka bërë të ditur se këtë vit pritet më shumë import dhe më pak prodhim brenda, por për të shmangur ndikimin e menjëhershëm është propozuar një mekanizëm që të ketë shpërndarje të kostove të rritura në më shumë periudha tarifore.
“Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm. Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra ZRRE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, thuhet në komunikatën për media kur u bë publikimi i raporteve konsultative për të hyrat e lejuara maksimale për operatorët dhe furnizuesit.
ZRRE-ja po ashtu ka bërë të ditur se gjatë analizës së aplikacioneve të pranuara nga ndërmarrjet energjetike, është vënë re se më 2026 do të ketë prodhim vendor më të ulët për shkak të remonteve në Termocentralet Kosova A dhe B. Kjo nënkupton se do të ketë më shumë import.
Tani konsumatorët, ndërmarrjet dhe palët tjera kanë mundësi të dërgojnë komente deri më 24 prill. Pas kësaj pritet që të merret vendimi i Bordit të ZRRE-së.
Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars, kurse prej orës 08 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator. Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat. E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë.
Rritja e çmimit të rrymës u kërkua nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). KESCO kërkoi rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.
Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.
Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat.






