Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e pelegrinëve serbë të arrestuar në Gjakovë ishte i drejtë dhe i bazuar në prova, ndonëse vendimi i shkallës së parë kishte qenë i gabuar.
Sipas tij, vendimi i gabuar i gjykatës së shkallës së parë ishte ndikuar nga rrethana urgjente, por ai u korrigjua në instanca më të larta.
“Në rastin konkret ka një vendim të Gjykatës Supreme, e që absolutisht ne besojmë thellësisht se është vendim i duhur. Në këtë rast i bie që duhej të na vinte keq për vendimin e gabuar të gjykatës së shkallës së parë, por që faktorët dhe rrethanat të ushtruara në kohën urgjente mund të diktojnë vendim të gabuar të shkallës së parë. Por natyrisht se institucionet janë për me e korrektu në nivel të shkallës së dytë dhe të tretë”, deklaroi Zogaj.
Zogaj theksoi se drejtësia nuk ndikohet nga emocionet publike, por udhëhiqet nga faktet dhe provat konkrete.
“Gjykata kërkon fakte dhe prova për vendimmarrje, dhe krejt tjerat çka janë jashtë letrave, jashtë fakteve të provuara, janë çështje që mund të diskutohen dhe mund të konsumohen nga publiku, por vendimmarrja e gjykatës është vendim i gjykatës dhe besojmë që është i duhuri dhe i drejti”, u shpreh Zogaj.
Deklaratën e plotë të Albert Zogajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: