Kolegji AAB

Zjarret nga rryma, shumica e rasteve në Kosovë lidhen me instalimet elektrike të pasigurta dhe kyçjet ilegale

Zjarret në ndërtesa kolektive, shtëpi dhe objekte biznesi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Kosovë, ndërsa institucionet vlerësojnë se pjesa më e madhe e tyre shkaktohen nga instalimet elektrike të pasigurta, mbingarkesa e rrjetit dhe kyçjet ilegale të energjisë elektrike.

Këto janë disa nga gjetjet e emisionit “Zjarret nga rryma”, i transmetuar në “KallxoPërnime”, ku janë prezantuar të dhëna nga zjarrfikësit, ekspertët e hetimit të zjarreve dhe përfaqësuesit e KEDS-it.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se gjatë viteve të fundit është shënuar rritje e zjarreve në ndërtesat kolektive.

Ai theksoi se hetimet tregojnë se shumica e rasteve janë pasojë e pakujdesisë dhe ndërhyrjeve në instalimet elektrike.

“Pjesa dërrmuese e zjarreve në banesat kolektive janë shkaktuar nga pakujdesia dhe intervenimet në rrjetin elektrik. Në disa raste kemi pasur mbingarkesë të orëve kolektive, përdorim të pajisjeve me konsum të lartë të energjisë dhe dëme të konsiderueshme materiale”, tha Fushtica.

Të njëjtin shqetësim e ngriti edhe komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli, i cili tha se punimet joprofesionale dhe ndërhyrjet nga persona të paautorizuar në instalimet elektrike mbeten ndër shkaqet kryesore të shpërthimit të zjarreve.

“Punimet joprofesionale, pajisjet e vjetruara elektrike dhe ndërhyrjet nga persona pa njohuri profesionale mund të shkaktojnë pasoja serioze dhe zjarr në objekte banimi apo biznesi”, deklaroi ai.

Edhe KEDS-i paralajmëron se kyçjet ilegale përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë e objekteve dhe banorëve.

Avni Alidemaj nga KEDS tha se personat që realizojnë kyçje ilegale përdorin shpesh materiale të papërshtatshme dhe instalime të pasigurta, duke rritur rrezikun për mbingarkesë të rrjetit dhe shpërthim zjarri.

“Kyçjet ilegale kryhen nga persona të paautorizuar dhe me materiale joadekuate. Kjo rrit rrezikun për dëmtim të rrjetit, të objektit dhe për shkaktim të zjarrit”, tha Alidemaj, duke u bërë thirrje qytetarëve që për çdo kyçje të re të ndjekin procedurat zyrtare dhe të kërkojnë asistencë nga ekipet e autorizuara të KEDS-it.

Një tjetër problem i evidentuar nga zjarrfikësit është banimi në ndërtesa që ende nuk kanë kaluar pranimin teknik.

Komandanti i Zjarrfikësve në Suharekë, Vehbi Krasniqi, tha se shumë objekte popullohen para se të certifikohen sistemet elektrike dhe ato kundër zjarrit.

“Objektet nuk duhet të banohen pa pranim teknik. Mbingarkesa e rrjetit në këto ndërtesa shkakton djegie të orëve elektrike dhe dëme të konsiderueshme materiale”, tha ai.

Sipas Krasniqit, ndërhyrja e zjarrfikësve në raste të tilla shpesh varet nga ndërprerja paraprake e energjisë elektrike nga ekipet e KEDS-it.

Ndërkaq, zjarrfikësi Malë Gashi nga Brigada e Prishtinës tha se në ndërtesat shumëkatëshe rreziku më i madh për banorët mbetet tymi i dendur, i cili përhapet me shpejtësi.

“Evakuimi i qytetarëve nga katet e larta është sfidë e madhe. Fatmirësisht nuk kemi pasur humbje jete në këto raste, por tymi mbetet rreziku kryesor për banorët”, tha Gashi.

Institucionet raportojnë se faktori njeri mbetet shkaktari kryesor edhe i zjarreve fushore dhe malore.

Sipas Fushticës, gjatë vitit të kaluar zjarrfikësit në Prishtinë kanë realizuar mbi 5 mijë intervenime, ku pjesa më e madhe lidhej me zjarret në fusha dhe male.

“99 për qind e zjarreve fushore dhe malore shkaktohen nga faktori njeri, qoftë nga pakujdesia apo me qëllim”, deklaroi ai.

Edhe komandantët e zjarrfikësve në Drenas dhe Suharekë thanë se djegia e hamulloreve, hedhja e cigareve të pashuara dhe zjarret e lëna pas piknikëve janë ndër shkaqet më të shpeshta të këtyre incidenteve.

Përballë rritjes së numrit të intervenimeve, zjarrfikësit në disa komuna po përballen edhe me mungesë të personelit.

Komandanti i Zjarrfikësve në Suharekë tha se kërkesat për angazhimin e punëtorëve sezonalë nuk janë realizuar, duke vështirësuar kapacitetet e reagimit gjatë sezonit veror.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje për angazhimin e zjarrfikësve vullnetarë, të cilët do të trajnohen për të mbështetur ekipet profesionale në rastet emergjente.

Sipas institucioneve, respektimi i standardeve teknike, shmangia e kyçjeve ilegale të energjisë elektrike dhe rritja e kujdesit të qytetarëve mbeten masat kryesore për parandalimin e zjarreve, pasi shumica e rasteve vazhdojnë të lidhen me faktorin njeri. /Kallxo

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA