Sulmuesi Xherdan Shaqiri ka konfirmuar se nuk ka plan të largohet nga Baseli dhe dëshiron ta ndihmojë klubin të rikthehet në nivelet ku e meriton.
Edhe pse Basel u shpall kampion para dy vitesh, këtë sezon nuk ishte në formën më të mirë, ndërsa skuadra e sapo promovuar Thun fitoi titullin. Shaqiri për “Blick” ka deklaruar se do t’i qëndrojë besnik kontratës, e cila skadon në qershor 2027.
“Jam dikush që do ta drejtoj dhe mbështes Baselin për ta kthyer ku i takon, dhe kjo nënkupton të garojmë për tituj. Kam edhe një vit në kontratë, prandaj gjithçka është e qartë”, theksoi ai.
Shaqiri kritikoi gjithashtu lojtarët më të rinj të skuadrës për paraqitjet e këtij sezoni. “Lojtarët tanë të rinj duhet të mësojnë të funksionojnë ndryshe. Shpresoj të shohim rezultate të njëjta, por performanca të përmirësuara sezonin tjetër”, shtoi ai.
Ky sezon, Shaqiri ka zhvilluar 34 paraqitje për Baselin në elitën e futbollit zviceran, duke shënuar 11 gola dhe dhuruar 10 asistime, duke treguar se është ende një lojtar kyç për skuadrën.





