Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se nesër do të ketë një takim të rëndësishëm me drejtuesit e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, në Bruksel, dhe ka shtuar se do t’u propozojë që i gjithë Ballkani Perëndimor të pranohet së bashku në BE.
“Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në tërësi në BE është ideja më e mirë. Nëse dikush mbetet jashtë, çfarë do të bëni me ato vende? Dhe e di që të gjithë flasin për harmonizimin, por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen e rajonit, por për të ardhmen e Evropës. Që të na pranojnë të gjithëve së bashku, pa përjashtim, të gjithë do të ndihen më mirë, si shqiptarët ashtu edhe boshnjakët… Dëgjoj vetëm reagime pozitive për këtë ide dhe këtë do t’ia them Antonio Costas dhe Ursula von der Leyen”, ka thënë Vuçiqi në Forumin Beltalks – Bisedimet Ekonomike të Beogradit.
Vuçiqi ka thënë se Serbia “tashmë ka bërë shumë gjëra”, por se “duhet të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së”.
Ai ka thënë se nesër ka një “takim të madh dhe të rëndësishëm” me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po organizon një darkë ku presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe ai do të jenë mysafirët e saj.






