Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka paralajmëruar për kostot e rënda ekonomike që konflikti në Iran po i shkakton Bashkimit Evropian, duke theksuar se pasojat mund të ndihen për muaj apo edhe vite.
Duke folur në seancën plenare të Parlamenti Evropian në Strasburg, ajo deklaroi se vetëm në 60 ditët e para të konfliktit, shpenzimet e BE-së për importet e lëndëve djegëse fosile janë rritur me mbi 27 miliardë euro.
“Po humbasim pothuajse 500 milionë euro në ditë”, u shpreh von der Leyen, duke e cilësuar situatën si krizën e dytë të madhe energjetike brenda katër viteve të fundit.
Sipas saj, zhvillimet e fundit tregojnë qartë se BE nuk mund të mbështetet më kaq shumë tek energjia e importuar. Ajo theksoi se rruga përpara është ulja e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe rritja e prodhimit vendas të energjisë së pastër dhe të përballueshme, përfshirë burimet e rinovueshme dhe energjinë bërthamore.
“Kjo është kriza e dytë e madhe energjetike në një periudhë të shkurtër prej katër vitesh. Mësimi duhet të jetë i qartë për të gjithë. Në një botë të trazuar si e jona, thjesht nuk mund të mbështetemi tepër në energjinë e importuar.
Rruga përpara është e qartë: duhet ta zvogëlojmë varësinë tonë të tepërt nga lëndët djegëse fosile të importuara dhe të rrisim prodhimin tonë vendas të energjisë së pastër dhe të përballueshme, nga burimet e rinovueshme te ato bërthamore, duke respektuar plotësisht neutralitetin teknologjik”, tha Von der Leyen.
Von der Leyen shtoi gjithashtu se ekziston një “realitet i ashpër”, pasi ndikimet e konfliktit në Lindjen e Mesme do të kenë efekt afatgjatë në ekonominë dhe sigurinë energjetike të BE-së.
“Ekziston një realitet i ashpër me të cilin të gjithë duhet të përballemi: pasojat e konfliktit në Iran mund të ndihen për muaj ose edhe vite që do të vijnë. Qëllimi ynë i përbashkët është tani të shohim një fund të qëndrueshëm të luftës. Kjo përfshin rivendosjen e lirisë së plotë dhe të përhershme të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pa taksa”, u shpreh më tej Von der Leyen.
Ajo nënvizoi se qëllimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar mbetet arritja e një paqeje të qëndrueshme, duke përfshirë garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushtica e Hormuzit dhe adresimin e çështjeve që lidhen me programin bërthamor dhe raketor të Iranit.






