Deputetja e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian (PE) Viola von Cramon ka thënë se deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, para marrëveshjes evropiane për Kosovën, ishin shumë të lavdërueshme, sepse kanë hapur rrugën për arritjen e marrëveshjes.
“Megjithatë, retorika pas gjithë kësaj dhe talljet me “dhimbje të padurueshme në dorën e djathtë“ u prit shumë keq, si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet kyçe të Bashkimit Evropian (BE), ka deklaruar Von Cramon për gazetën serbe “Nova”, duke komentuar deklaratën e Vuçiqit se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, transmeton Paparaci.
Von Kramon, e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE, ka deklaruar se nuk i takon Serbisë të vendosë nëse Kosova mund të hyjë në OKB.
Ajo ka shtuar se e kupton që deklarata të tilla janë për publikun e brendshëm, por se nuk është në dorën e Serbisë, sepse pranimi në OKB varet nga vendimi i Këshillit të Sigurimit.