Edhe pse jemi në fund të muajit shtator, Velipoja vijon të mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në veri të vendit.
Plazhi i gjatë, moti i ngrohtë dhe deti i pastër kanë bërë që pushuesit të mos i ndahen ende bregdetit shkodran. Përveç vizitorëve vendas, një numër i madh pushuesish ka mbërritur edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë ditë relaksi pranë detit.
“Velipoja është më e mira në botë, me tërë të mirat. I dëshiroj çdo të mirë atyre që po na bëjnë respektin këto ditë. Na kanë pritur shumë mirë,” tha një pushuese.
“Unë prej disa vitesh vij këtu. Boll e ndiej veten të lirë. Nuk kam frikë. Ajo është më kryesorja. Kemi respekt prej krejt,” u shpreh një tjetër pushuese për RTSH.
Ky fluks në fund të sezonit tregon se Velipoja po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të qëndrueshëm turistik, ku sezoni i verës po zgjatet përtej muajit gusht, duke i dhënë gjallëri ekonomisë dhe jetës së zonës.