Viti 2024 i shkuar huq për dhjetë stadiume bartet buxheti i 2024-tës

Përgatiti: Fatlum Jashari

Për 10 nga 17 projekte për investime në stadiume të futbollit, të cilat i përmendi ministri Hajrulla Çeku, të mërkurën, nuk ka buxhet të ri për vitin 2025, por vetëm bartje të mjeteve të pashpenzuara këtë vit.

Për stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në të cilin ministri tha se po vijojnë punët, buxheti i ri për vitin 2025 është zero – ndërsa barten 3 milionë euro.

Zero është buxheti i ri për vitin e ardhshëm edhe për stadiumin e Gjilanit, ndërsa vlera e bartjeve nga ky vit është 2 milionë euro.

Po ashtu, 2 milionë euro të parapara të shpenzoheshin më 2024 për renovimin e stadiumit në Gjakovë, kalojnë më 2025 – ndërsa nuk ka buxhet të ri.

Njësoj, zero është vlera e mjeteve financiare të reja për vitin 2025 edhe për investimet e parapara në stadiumet në Pejë, Kaçanik, Prizren, Ferizaj, Suharekë, Rahovec dhe Hogosht të Kamenicës, sikurse edhe linja e veçantë për renovimin e stadiumeve ekzistuese në qendrat regjionale.

Për të gjitha, mjetet e papërdorura këtë vit kalojnë më 2025.

Të vetmet për të cilat ka buxhet të ri për vitin e ardhshëm janë stadiumet në Drenas e në Vushtrri, nga 500 mijë euro për secilin nga projektet që kanë vlerë rreth 5 milionë euro dhe parashihet të zgjasin disa vjet.

Në vlerësimin e gazetarit të sportit, Bujar Mehmeti, deklaratat e kreut të MKRS-së nuk përkojnë me realitetin.

“Nëse e dëgjon konferencën e plotë të ministrit Hajrulla Çeku je duke folur për një vend i cili ka rreth 20 stadiume, 30 stadiume, dhe të gjitha vetëm pritet të lëshohen në përdorim.

Realiteti është krejt ndryshe, deri para një muaji nuk e kemi pasur asnjë stadium që i plotëson kushtet për t’u zhvilluar një ndeshje ndërkombëtare. Do të thotë, edhe ajo që u zhvillua ishte e mangët e me probleme. Sa i përket investimeve të bëra pikërisht nga MKRS-ja”, tha Mehmeti.

Referuar gjendjes në terren dhe shifrave në letër, Mehmeti theksoi se “2024-ta ishte vit i shkuar huq”.

“I tërë buxheti që është paraparë për vitin që po e lëmë tashmë pas do të bartet në vitin 2025. Ka shumë pak buxhet ose shumë pak para për vitin 2025, e që është vërtet shqetësuese”, tha Mehmeti.

Duke përmendur projektin për stadiumin në Ferizaj, i cili mbetet i pakryer për më shumë se një dekadë, gazetari Granit Tërstena tha se shpreson që investimet të ndodhin njëmend e të mos mbesin vetëm fushatë.

“I kemi dy skuadrat nga Gjilani që vuajnë shumë që ta kenë një shtëpi, e që nuk e kanë. Dhe e dimë historinë e stadiumit që është zgjatë goxha një kohë dhe nuk e kemi atë stadium. Është edhe stadiumi “Adem Jashari” që është përmendur që të rinovohet, punimet kanë filluar, është duke u punuar, por shumë ngadalë. Në anën tjetër, stadiumin në Ferizaj”, tha Tërstena.

Plani pesëvjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit, i prezantuar para rreth dy vjetësh, parasheh investime në 22 stadiume e fusha ndihmëse në 18 komuna, në vlerë të përgjithshme rreth 200 milionë euro.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA