Veturat gjermane vazhdojnë të konsiderohen simbol prestigji edhe në Indi, një vend me rreth 1.45 miliardë banorë. Pikërisht për këtë arsye, prodhuesit gjermanë të automobilëve e kanë pritur me interes të madh një marrëveshje tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Indisë, e cila parashikon ulje të ndjeshme të tarifave doganore.
India është aktualisht vendi më i populluar në botë dhe vitet e fundit ka regjistruar një rritje ekonomike mbresëlënëse, mesatarisht nga gjashtë deri në shtatë për qind në vit. Këto ritme rritjeje janë shumë më të larta se në shumicën e vendeve të zhvilluara.
Me një klasë të mesme në zgjerim dhe një popullsi të re që po bëhet gjithnjë e më e pasur, India po shndërrohet në një treg gjithnjë e më tërheqës për industrinë globale të automobilëve.
“Marrëveshja e re e tregtisë së lirë me BE-në përbën një mundësi të rëndësishme për industrinë gjermane të automobilëve për të fituar akses në tregje të reja”, shprehet Konstantin Gall, konsulent në EY Parthenon.
Ulje e fortë e tarifave doganore
Sipas marrëveshjes, në fazën e parë tarifat doganore për disa automjete të importuara, që aktualisht arrijnë deri në 110 për qind, do të ulen fillimisht në 40 për qind dhe më pas në 10 për qind. Kjo do të vlejë për një kuotë vjetore prej 250 mijë automjetesh. Ndërkohë, tarifat për pjesët e automjeteve pritet të hiqen plotësisht brenda pesë deri në dhjetë vjetëve.
Frank Schwoppe nga Shkolla e Menaxhimit në Këln e konsideron këtë zhvillim si një bazë të fortë për prodhuesit gjermanë në përpjekjet e tyre për të hyrë në tregje të reja dhe për të fituar klientë të rinj.
“SUV-të dhe automjetet më të fuqishme janë veçanërisht të kërkuara në Indi”, thekson ai, duke shtuar se infrastruktura rrugore në vend është ende larg standardeve evropiane.
Dilema e prodhimit lokal
India prej kohësh është një treg kyç për industrinë ndërkombëtare të automobilëve. Kërkesa për automjete është e lartë dhe vendi ka potencialin të shndërrohet në një treg po aq të madh sa SHBA-ja apo Kina.
Megjithatë, eksperti i industrisë automobilistike Christoph Stirmer paralajmëron se marrëveshja e re tregtare përbën një “shpatë me dy tehe” për prodhuesit gjermanë. Nga njëra anë, ajo mund të nxisë eksportet direkte drejt Indisë, por nga ana tjetër vë në pikëpyetje investimet ekzistuese në fabrika lokale.
“Kompani si Audi tashmë kanë fabrika në Indi që ende nuk janë zgjeruar plotësisht. Kjo ngre pyetjen nëse eksporti nga Evropa është vërtet zgjidhja më e mirë”, shprehet Stirmer.
Elektromobiliteti në rritje
Automjetet elektrike po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi edhe në Indi, kryesisht për shkak të ndotjes së lartë të ajrit në disa qytete të mëdha.
“India po fokusohet fillimisht në sektorët që kanë ndikimin më të madh në trafik, si lëvizshmëria e vogël dhe mikro”, shpjegon Stirmer. Këtu përfshihen skuterët, motoçikletat dhe mjetet e vogla, si dhe autobusët elektrikë.
Disa qytete indiane kanë kaluar tashmë plotësisht në përdorimin e autobusëve elektrikë, ndërsa të tjerat pritet ta ndjekin këtë shembull. Kjo strategji mbështetet fuqishëm nga shteti përmes lehtësimeve tatimore dhe subvencioneve.
Konkurrencë e fortë në treg
Megjithatë, mbetet e paqartë se sa do të përfitojnë prodhuesit gjermanë nga ky zhvillim, pasi marrëveshja e tregtisë së lirë nuk parashikon lehtësime të veçanta për automjetet elektrike të importuara.
Tregu indian dominohet nga prodhuesit vendas dhe ata japonezë. Kompani si Suzuki dhe Honda kanë kapacitete të mëdha prodhuese në Indi dhe po investojnë miliarda euro në fabrika të reja dhe modele të reja. Edhe prodhuesit koreanojugorë, si Hyundai dhe Kia, po forcojnë praninë e tyre.
Në të njëjtën kohë, qeveria indiane po mbështet fuqishëm prodhuesit vendas. “Qëllimi është që ata të jenë të parët që plotësojnë nevojat e një tregu të ri dhe në rritje”, shpjegon Gall.
Pavarësisht kësaj, Frank Schwoppe mbetet optimist. “Ka mjaftueshëm hapësirë edhe për prodhuesit gjermanë”, thotë ai.
Sipas tij dhe Gall, marrëveshja e re përfaqëson një mundësi të rëndësishme për ripozicionim në një treg gjithnjë e më konkurrues. “Në vitet që vijnë, India do të jetë një treg që prodhuesit gjermanë nuk duhet ta humbasin nga vëmendja”, përfundon Gall. /DW/






