Reshjet e dendura të shiut gjatë natës së mbrëmshme, të cilat kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Komunës së Skenderajt, duke krijuar vështirësi për një numër familjesh.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ekipet emergjente janë angazhuar që nga orët e para të mëngjesit për të monitoruar dhe menaxhuar situatën në terren.
“Reshjet e natës së mbrëmshme, të cilat po vazhdojnë edhe sot, kanë sjellë vërshime në disa zona të Komunës së Skenderajt, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai ka shtuar se njësitë e zjarrfikësve janë në terren që nga mesnata dhe po e përcjellin situatën me kujdes të shtuar.
“Ekipet emergjente të zjarrfikësve që nga mesnata janë të angazhuara në terren dhe po përcjellin situatën me kujdes të shtuar”, ka theksuar kryetari i Skenderajt.
Sipas tij, Komuna e Skenderajt është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha ekipet e emergjencave, për të qenë pranë qytetarëve dhe për të përballuar situatën e krijuar.
“Në bashkëpunim me të gjitha ekipet e emergjencave në kuadër të komunës, do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve për t’u përballur së bashku me këtë situatë”, ka përfunduar Lushtaku.






