Vendlindja e Shakirës, Barranquilla, e ka përjetësuar këngëtaren kolumbiane me një statujë gjigande të vendosur në qytet.
Statuja prej bronzi rreth 6 metra e lartë është realizuar nga artisti Yino Márques.
Ai e krijoi atë duke u frymëzuar nga lëvizja e saj më e njohur e kërcimit nga videoklipi i vitit 2005, të këngës “Hips Don’t Lie”.
“Një zemër që kompozon, ije që dridhen, një talent i pashoq, një zë që lëviz edhe masat këmbëzbathura që marshojnë për të mirën e fëmijërisë dhe njerëzimit”, thuhet në postulatin pranë statujës.
Ka qenë vetë këngëtarja që ka njoftuar ngritjen e statujës së saj, duke postuar fillimisht foto të prindërve të vetë duke pozuar të buzëqeshur para saj.
“Ndihem e lumtur kur e ndaj këtë moment me prindërit e mi dhe veçanërisht me nënën time në ditëlindjen e saj”, ka shkruar ajo në Instagram, shkruan A2CNN.
Këngëtarja ka postuar edhe foto të familjes së saj me kryebashkiakun e zonës dhe për përkushtimin që kanë treguar, ajo është shprehur: “Kjo është shumë e tepërt për zemrën time të vogël”.