Përgatiti: Bleta Gashi
Një gjeneral i lartë rus i akuzuar nga Ukraina se ishte përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase, u vra në Moskë. Përgjegjësinë për vrasjen e tij e ka marrë shërbimi i inteligjencës ukrainase, SBU.
Gjenerallejtënant Igor Kirillov, i cili ishte shefi i Trupave të Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë, u vra jashtë një pallati së bashku me ndihmësin e tij, nga shpërthimi i një bombe të fshehur në një skuter elektrik, që u aktivizua nga distanca, tha Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili heton krimet e rënda.
Shpërthimi, që besohet se ishte rezultat i një operacioni special të shërbimit të sigurisë SBU të Ukrainës, ndodhi një ditë pasi ky shërbim raportoi se prokurorët ukrainas ngritën një akuzë kundër Kirillovit, si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase gjatë luftës së nisur nga pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia.
Kirillov, 54 vjeç, është oficeri më i lartë ushtarak rus që u vra brenda Rusisë nga Ukraina dhe vrasja e tij ka të ngjarë t’i shtyjë autoritetet ruse të rishikojnë protokollet e sigurisë për drejtuesit e lartë të ushtrisë dhe të gjejnë një mënyrë për t’u hakmarrë për vrasjen e tij.
Ish-presidenti Dmitry Medvedev, tani një zyrtar i lartë i sigurisë ruse, u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA të ketë thënë se udhëheqja ushtarake dhe politike e Ukrainës tani përballet me një hakmarrje të afërt për vrasjen e Kirillov.
Kremlini e ka akuzuar edhe Perëndimin për përfshirje në eliminimin e gjeneralit Kirillov.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: