Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, foli për incidentin që ndodhi gjatë tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj, duke theksuar se tubimi u përball me pengesa të orkestruara dhe rrezikim të pjesëmarrësve.
Sipas Muratit, pengesat u organizuan nga një grup individësh të lidhur me PDK-në, ndërsa ai dënoi veprimet që, siç tha, përfshinin rrezikim të sigurisë së qytetarëve.
“Shkuam për të mbajtur një tubim, si në çdo qytet të Republikës së Kosovës. Megjithatë, në Skënderaj pati një grup të orkestruar nga partia që qeveris atje, PDK-ja, për ta penguar tubimin, madje me rrezikim të njerëzve. Nuk është njësoj të bësh një deklaratë politike dhe të hedhësh petarde në kokat e njerëzve që ishin mbledhur aty,” tha Murati.
Ministri tha se përdorimi i mjeteve piroteknike jo vetëm që ishte i papranueshëm, por shkaktoi edhe lëndime te pjesëmarrësit.
“Në disa raste, pati hedhje të petardeve të kalibrit të madh në drejtim të pjesëmarrësve, çka mund të ketë shkaktuar edhe lëndime”, shtoi ai.
Deklaratën e plotë të Hekuran Muratit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: