Kleviol Ahmeti ishte në kërkim nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë. Pas një arratie në Dubai, 39-vjeçari nga Lushnja u kap dhe u ekstradua drejt Shqipërisë në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”t.
Ahmeti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit në Tiranë i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”. Sipas autoriteteve, ai kishte përndjekur për disa vite, fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.
Përveç kësaj, ai ishte dënuar nga Gjykata e Fierit me 9 muaj burg për “largimin e të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë të dhënë më herët.
Njoftimi:
Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri, një 39-vjeçar i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë.
Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qendruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.
Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.
Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.