Gazetarja dhe aktivistja e njohur shqiptare Zhaklin Lekatari ka jetuar jashtë Shqipërisë për shumë vite dhe është shkolluar në Itali. Ajo ka përvojë të gjatë në media, ka bërë disa punë në televizione lokale e gjithashtu edhe në radio. Ajo është themeluese e Tabu.al, një platformë që sfidon normat shoqërore dhe promovon barazinë gjinore.
Zhaklin Lekatari ishte së fundmi e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për jetën e saj personale, paragjykimet edhe kërcënimet që ka hasur, dhe shumëçka tjetër.
Gjatë bisedës, Zhaklin foli për fotografinë e bërë në Beograd, e cila ngjalli shumë reagime negative tek shqiptarët. Sipas saj, gjithçka nisi nga një udhëtim privat që bëri në kryeqytetin serb, ku pa një mural që i tërhoqi vëmendjen për shkak të ngjyrave. Pa e kuptuar simbolikën dhe mesazhin e muralit, ajo e fotografon dhe e ndan në rrjetet sociale.
“Unë isha në një udhëtim privat dhe në Beograd pashë një mural, një grafik i cili më pëlqeu shumë për shkak të ngjyrave. …Grafiti të cilin unë e kisha fotografuar dhe postuar ishte i një nga pjesëtarët e ushtrisë …dhe ky personi kishte humbur syrin gjatë luftës këtu… Sigurisht që unë nuk e flas gjuhën serbe, nuk e dija çfarë shkruhej”, tha Zhaklin.
Gjithashtu, ajo tregoi se gjatë kohës që ishte opinioniste në Big Brother Albania përballej me shumë gjykime, dhe postimi i fotos nga Beogradi e përkeqësoi situatën. Nisën të qarkullonin montazhe të pavërteta, që sipas saj u shfrytëzuan nga portalet për klikime. Ndërkohë, Zhaklin zgjodhi të mos reagojë, pasi besonte se zëri i saj nuk do të dëgjohej.
“Fotoja ishte në atë kohë, kur unë gjykohesha për shkak të pozitës që isha në Big Brother.Më pas e gjithë kjo histori mori vëmendje. Filluan edhe disa montazhe Ishte një keqkuptim shumë i madh, por urrejtja ndaj meje dhe propaganda e portaleve, të cilat përfitonin në klikime dhe para duke më shpallur armikun e popullit, bënë që zëri im të mos dëgjohej. Kështu unë vendosa të heshtja”, shtoi Lekatari.
Vlen të theksohet që Zhaklin nuk ka reshtur asnjëherë së shprehuri gjërat ashtu siç i mendon, edhe kur bëhet fjalë për ato çështje që konsiderohen tabu, si p.sh. temat që lidhen me të drejtat e grave, aktivizmin feminist dhe luftën kundër dhunës e paragjykimeve.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Zhaklin Lekatari, klikoni linkun e mëposhtëm: