Derbi i Merseyside përfundon pa fitues, Liverpooli dhe Evertoni ndajnë pikët

Liverpooli dhe Evertoni kanë barazuar 1:1 në derbin e Merseyside, në një përballje interesante të vlefshme për Ligën Premier, ku të dyja skuadrat realizuan nga një gol, por asnjëra nuk arriti të sigurojë fitoren.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe vendasit kaluan në epërsi që në minutën e pestë. Dominik Szoboszlai, pas një kombinimi të bukur me Florian Wirtz, realizoi me një goditje të saktë nga distanca, duke i dhënë avantazhin Liverpoolit.
Reklamë
Megjithatë, epërsia e vendasve zgjati vetëm 20 minuta. Në minutën e 25-të, pas një goditjeje dënimi të Evertonit, topi u devijua nga Jeremie Frimpong dhe përfundoi në rrjetën e Liverpoolit, duke regjistruar një autogol për mbrojtësin.
Liverpooli pati mundësi të mira për ta rikthyer epërsinë që në pjesën e parë. Florian Wirtz rrezikoi me një goditje brenda zonës, por portieri i Evertonit reagoi në mënyrë të shkëlqyer. Ndërkohë, Alexander Isak nuk arriti ta shfrytëzonte një pasim të Jeremie Frimpongut, duke mos e dërguar topin në kuadrat.
Edhe në pjesën e dytë, Liverpooli vazhdoi të kërkonte golin e fitores. Virgil van Dijk ishte pranë realizimit pas një goditjeje nga këndi, por tentativa e tij përfundoi pak mbi traversë.
Në anën tjetër, edhe Evertoni pati rastet e veta. Kiernan Dewsbury-Hall rrezikoi pas një topi të kthyer në zonë, por goditja e tij u ndal nga mbrojtja e vendasve.
Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave deri në vërshëllimën e fundit, rezultati mbeti i pandryshuar.
Kështu, derbi i Merseyside u mbyll me rezultat 1:1, duke bërë që Liverpooli dhe Evertoni të ndajnë nga një pikë në këtë përballje.
Reklamë







