Ish-shefja e komunikimit në kabinetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) gjatë mandatit të ministres Meliza Haradinaj, Alkena Dervishaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie ku shihen në mbeturina fotografi të ish-ministrave të këtij institucioni.
Përmes një reagimi publik, Dervishaj ka rikujtuar se një nga vendimet e para të ministres Meliza Haradinaj, kur mori detyrën, ishte vendosja e fotografive të ish-ministrave në korridorin e katit të katërt të ministrisë, si shenjë respekti për vazhdimësinë institucionale. Sipas saj, edhe pse shumica e ish-ministrave nuk i përkisnin partisë politike të Haradinajt, kjo nuk kishte rëndësi, pasi në institucion përfaqësohet shteti dhe jo partia.
“Kur hyn në institucion nuk përfaqëson më parti, përfaqëson institucionin dhe respekton të gjithë ata që kanë qenë para teje, pa dallim,” ka shkruar ajo.
Dervishaj theksoi se me disa prej këtyre ish-ministrave kanë pasur përplasje të forta mendimesh ndër vite, por sipas saj respekti institucional nuk ka munguar. Ajo po ashtu ka përmendur edhe një vendim tjetër të asaj kohe, kur për nder të Epopesë së UÇK-së, misioneve diplomatike të Kosovës u ishte dërguar flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u vendosur krahas flamurit shtetëror.
Sipas Dervishajt, me ardhjen në krye të MPJD-së, ish-ministrja Donika Gërvalla Schwarz ka urdhëruar largimin e fotografive të ish-ministrave si dhe heqjen e flamurit të UÇK-së nga misionet diplomatike. Ajo shtoi se kjo qasje, sipas saj, po vazhdon edhe nga pasardhësi i saj në këtë post.
“Vazhdimësia institucionale është këputur në vitin 2021 dhe përdhosja e çdo vlere të këtij shteti është shndërruar në normë,” ka deklaruar Dervishaj. Duke iu referuar fotografisë së publikuar së fundmi, ajo ka thënë se pamja e fotografive të ish-ministrave në mbeturina është “fytyra e vërtetë e kësaj kaste politike pesëvjeçare”. “Shkatërro dhe sundo. Turp,” ka përfunduar reagimi i saj.






