Me rënien e temperaturave gjatë afrimit të stinës së vjeshtës, kondensimi fillon të bëhet një problem i zakonshëm në shumë shtëpi.
Kjo ndodh për shkak të nivelit të lartë të lagështisë brenda ambienteve, dhe zakonisht shfaqet nga fundi i shtatorit deri në prill – ndonëse kjo mund të ndryshojë në varësi të kushteve klimatike.
Ndërsa disa ekspertë të dritareve pretendojnë se zëvendësimi i xhamave është zgjidhja e vetme afatgjatë për kondensimin, një influencuese e pastrimit në TikTok ka zbuluar një zgjidhje të menjëhershme dhe efektive duke përdorur vetëm një send të zakonshëm që gjendet në shumicën e shtëpive.
Ffion Bloomfield, nga profili @blooms_abode, sugjeron vendosjen e sodës së bukës (bikarbonat natriumi) pranë dritares për të thithur lagështinë e tepërt.
Kjo metodë e thjeshtë mund të përdoret edhe në kabineta, dollape apo vende të mbyllura që bëhet lagështia, duke parandaluar në këtë mënyrë zhvillimin e mykut, i cili nëse lihet pa trajtuar, mund të shkaktojë dëmtime strukturore në pronë.
Sipas Ffion-it, metoda është shumë e lehtë për t’u zbatuar dhe nuk kërkon pajisje apo teknologji. Ajo sugjeron që në mëngjes, fillimisht të hapen perdet apo roletat për të lejuar ajrosjen, dhe më pas të vendoset një enë e vogël me sodë buke në pragun e dritares.
Soda e bukës funksionon duke përthithur lagështinë nga ajri, dhe me kalimin e kohës ajo do të ngurtësohet, duke treguar se ka përthithur lagështinë. Kur kjo ndodh, soda duhet të zëvendësohet me një të re – zakonisht pas rreth një muaji.
Si hap shtesë, ajo këshillon edhe spërkatjen e pragut të dritares me një spray kundër mykut, si për shembull “Astonic Mould and Mildew Blaster”, megjithëse edhe produkte të tjera të ngjashme janë po aq efektive.
Ky proces mund të përsëritet çdo dy javë, ose më shpesh nëse vëreni njolla të errëta. Ffion e ndan këtë truk me mbi 62,900 ndjekës në TikTok, dhe sugjeron se është një mënyrë e sigurt për të luftuar kondensimin në mënyrë të thjeshtë dhe ekonomike.