Sipas Psychology Today, efektet e traumës së fëmijërisë shpesh janë afatgjata dhe kronike. Të rriturit që kanë përjetuar trauma të komplikuara gjatë fëmijërisë, mund të kenë vështirësi në procesimin e asaj që kanë përjetuar si fëmijë, gjë që më pas mund të çojë në një sërë simptomash emocionale, psikologjike dhe fizike.
Kjo temë u trajtua në emisionin “Libero” në ATV, ku të ftuarit ndanë mendimet dhe përvojat e tyre lidhur me traumat e fëmijërisë, si të tejkalohen ato dhe çfarë ndikimi kanë në jetën e të rriturve.
Psikologia Blerta Ferizi Kastrati foli për ndikimin e neglizhencës ndaj fëmijëve dhe pasojat që sjell më vonë tek ata.
“Është ajo pjesa kur kërkojnë vëmendje, kur kërkojnë gjithmonë aprovim. Janë fëmijë të cilët gjatë gjithë kohës së procesit të rritjes janë fëmijë të neglizhuar. Janë fëmijë që kanë pasur, për shembull, mungesën e një prindi gjatë procesit të rritjes.” tha Blerta
Ndërkaq, Nora Malaj theksoi se një nga gabimet më të mëdha që bëjnë prindërit është krahasimi mes fëmijëve.
“Problemi i parë i traumës njerëzore sociale fillon atëherë kur ne i krahasojmë fëmijët dhe i vëmë krahasimisht ose me njëri-tjetrin, ose me moshatarët e tyre, ose me të afërmit, dhe u themi: ‘Ti nuk je aq i zoti sa është ai’,” tha Malaj.
Pedagogia Edlira Jajaga Kqiku dha shembuj konkretë për mënyrën se si duhet të jetë edukimi i hershëm i fëmijëve, duke theksuar se as plotësimi i çdo dëshire nuk është i shëndetshëm.
“Ne ose kemi fëmijë mbretër që u japim gjithçka, ose kemi ata që nuk ju japim mjaftueshëm dashuri… Nëse ne i lëmë që të shprehin emocionet në fëmijërinë e hershme, do të kemi edhe një adoleshencë më të qetë… Nëse në fëmijërinë e hershme na janë plotësuar të gjitha dëshirat, kërkojmë të na plotësohen edhe në adoleshencë dhe kur nuk arrijmë pastaj bëhemi agresivë,” tha Edlira.
Ndërsa sociologia Flaka Ymeri theksoi rëndësinë e mbajtjes së kufijve të shëndetshëm në marrëdhënien prind-fëmijë.
“Të jesh i mirëqenë, të jesh i hapur në diskutim për të gjitha temat në gjithë vazhdimësinë e jetës është shumë e rëndësishme, mirëpo jo të kalojë raporti prindëror në atë shoqëror, sepse dëmet janë shumë të mëdha,” tha Flaka.
Në fund, psikoterapistja Besarta Fazliu Shatri solli një reflektim të thellë mbi mënyrën se si modelet familjare ndikojnë në formimin e personalitetit tonë, edhe atëherë kur përpiqemi t’i shmangim ato.
“Ato modelet e brendshme që ne veçse i kemi pa, ato figura, ato skema, figura dhe koncepte që i kemi ndërtu qysh në fëmijërinë tone pa marrë parasysh se na shpesh herë si të rinj kemi thënë ‘kurrë s’kom me u bë si nana edhe baba’, kuptojmë që pas një kohe pa vetëdije ato tipare na dalin në pah. Ndoshta nuk janë të vullnetshme, mirëpo është diçka që ne nuk mundemi me i ik.” tha ajo
Vlen të theksohet se hapi i parë drejt ndryshimit është vetëdijesimi të kuptojmë që reagimet tona aktuale mund të mos jenë thjesht për atë që po ndodh sot, por jehonë e asaj që ka ndodhur dje. Terapia, mbështetja emocionale dhe puna me “fëmijën e brendshëm” janë mjete të fuqishme që ndihmojnë për të thyer ciklin e traumës dhe për të ndërtuar një jetë më të shëndetshme.
Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm: