Palestra e sportit “Minatori” në Mitrovicë po i nënshtrohet një transformimi të rëndësishëm, me vendosjen e tribunave teleskopike, një investim në vlerë prej 400 mijë eurosh që pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka theksuar se ky projekt do të rrisë dukshëm kapacitetin dhe funksionalitetin e palestrës.
Sipas Çekut, në ambientet e palestrës do të shtohen 680 ulëse të reja, duke krijuar kushte më të mira për publikun sportdashës dhe për organizimin e ngjarjeve sportive të ndryshme.
Ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të modernizuar infrastrukturën sportive në Mitrovicë dhe për të ofruar standarde më të larta për sportistët dhe tifozët. /ATVLIVE.TV






