Përgatiti: Armand Hoti
Udhëtarët po presin ta marrin trenin që të qon nga Prishtina në Pejë.
Këtë rrugë, treni e bënë dy herë në ditë.
Mirëpo, ky biznes nuk po i sjell të ardhura “Trainkosit”, që menaxhon trenat.
Në tre muajt e para të vitit, kompania publike “Trainkos” shënoi humbje prej mbi 116 mijë eurosh.
Trendi i humbjeve vazhdoi edhe në tre mujorin pasues. Nga prilli në qershor “Trainkos” regjistroi një minus prej afro 173 mijë eurosh.
Vitin 2023 ndërmarrja, e mbylli me humbje operative prej rreth 273 mijë eurosh, dukshëm më pak ajo 848 mijëshe, e regjistruar në 2022-ën.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Agron Statovci thotë se zvogëlimi i humbjeve bëhet duke zvogëluar maksimalisht shpenzimet jo primare.
“I kemi reduktuar të gjitha shpenzimet, komplet shpenzim, ndërmarrja ka karburantin, pagat e punëtorëve, qasjen në binarë, që i paguajmë infrastrukturës”, tha Statovci.
Afarizimi me transport mallrash, nuk është profitabil, si pasojë e bllokimit total të Linjës Hekurudhore 10 Prishtinë – Han i Elezit, që vazhdon të jetë në proces të modernizimit.
“Mbyllja e kësaj linje ka pamundësuar zhvillimin e transportit ndërkombëtar të mallrave përmes hekurudhës, gjë që ka ndikuar dukshëm edhe në transportin e brendshëm të mallrave. Gjatë periudhës prill –qershor 2024 nga transporti i mallrave janë realizuar të hyrat në shumën prej 4,700 €, eksport/import”, thuhet në raportin e TrainKos.
Kurse transporti i mallrave brenda territorit të Kosovës, është i bllokuar tërësisht.
“Vitin e kaluar kemi realizuar një transport rreth 195 mijë tonësh, por është transport i brendshëm. Pra transportin e xehes për Ferronikel, kurse këtë vit ajo nuk varet nga ne. Ne jemi të gatshëm”, tha Statovci.
Ministria e ekonomisë ka paraparë, një subvencion prej 1.1 milion euros, për “Trainkosin”, këtë vit. Diku 489 mijë euro janë destinuar për investime kapitale.