Kolegji AAB

Totaj: Komunës së Prizrenit i janë marrë mbi 40 milionë euro, vetëm gjatë këtij viti mbi 17 milionë

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se Komuna po përballet me vështirësi të mëdha financiare, duke bërë të ditur se gjatë viteve të fundit nga buxheti komunal janë marrë mbi 40 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë këtij viti mbi 17 milionë euro.

Përmes një postimi në Facebook, Totaj tha se Komuna po pranon çdo ditë kërkesa nga qytetarët për investime në lagje dhe fshatra, duke theksuar se ato trajtohen me seriozitet.

“Po pranojmë çdo ditë kërkesa të shumta e plotësisht të arsyeshme për investime në lagjet dhe fshatrat e Komunës sonë. Dua t’ju siguroj se secila prej tyre dëgjohet dhe trajtohet me seriozitet”, ka shkruar Totaj.

Ai ka fajësuar barrën financiare të Kontratës Kolektive për gjendjen aktuale, duke thënë se, ndonëse kjo kontratë është obligim i Ministrisë së Arsimit dhe një e drejtë e punëtorëve të arsimit, kostoja është bartur te komunat.

“Fatkeqësisht, Komuna e Prizrenit po përballet me një goditje të rëndë financiare. Edhe pse Kontrata Kolektive është obligim i Ministrisë së Arsimit dhe një e drejtë e merituar e punëtorëve të arsimit, barra financiare është bartur te komunat. Gjatë këtyre viteve, Komunës së Prizrenit i janë marrë mbi 40 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë këtij viti mbi 17 milionë euro. Këto janë mjete që do të ishin investuar në rrugë, shkolla, shëndetësi, infrastrukturë dhe projekte të tjera në shërbim të qytetarëve”, është shprehur ai.

Totaj u ka kërkuar mirëkuptim qytetarëve për vonesat në realizimin e disa projekteve, duke theksuar se ato nuk lidhen me mungesën e vullnetit të komunës.

“Ju e dini se gjatë mandatit tonë kemi investuar në çdo pjesë të komunës dhe ky mbetet angazhimi ynë. Prandaj, ju kërkoj mirëkuptim për vonesat në realizimin e disa projekteve, të cilat nuk janë pasojë e mungesës së vullnetit, por e rrethanave financiare me të cilat po përballemi”, ka deklaruar Totaj.

Në fund, kryetari i Prizrenit tha se do të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje me institucionet qendrore për tejkalimin e kësaj situate.

“Si Kryetar i Komunës, do të vazhdoj të kërkoj, së bashku me nivelin qendror dhe institucionet përkatëse, një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për këtë çështje, në mënyrë që komunat të kenë mundësi t’i vazhdojnë investimet dhe t’u ofrojnë qytetarëve projektet dhe shërbimet që i meritojnë”, ka përfunduar Totaj.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA