Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të disa produkteve ushqimore për foshnje të markës Aptamil, për shkak të dyshimeve për praninë e një toksine të rrezikshme.
Sipas AUV-së, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) janë pranuar disa njoftime zyrtare lidhur me praninë e toksinës Cereulide në qumësht formulë për foshnje të prodhuar në Gjermani, Holandë dhe Irlandë.
“Njoftimet zyrtare nga RASFF janë: njoftimi me nr. 2026.0663, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani, njoftimi nr. 2026.1018 për produktet e prodhuara në Holandë, si dhe njoftimi nr. 2026.1017 për formulat për foshnje dhe formulat për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë”, thuhet në komunikatën e AUV-së.
Agjencia bën të ditur se, për shkak të nivelit serioz të rrezikut, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k., nga Vushtrria, janë ndërmarrë masa urgjente për largimin e këtyre produkteve nga tregu kosovar.
“Për shkak të nivelit të rrezikut të konsideruar serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese, është duke ndërmarrë masat e menjëhershme për tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu”, thuhet më tej në njoftim.
AUV u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve, ndërsa konsumatorëve u kërkohet që të mos i përdorin ato.
“ Konsumatorët që posedojnë produkte të tilla të mos i përdorin ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes”, thekson Agjencia.
Në fund, AUV rithekson përkushtimin e saj për monitorim të vazhdueshëm të tregut, duke theksuar se do të vazhdojë me masa parandaluese dhe kontrolluese për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve në Kosovë.






