Avokati Asdren Bytyqi, gjatë ditës së sotme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj historianit Belisar Jezercit, duke e akuzuar atë për thirrje të vazhdueshme për spastrime etnike dhe dhunë ndaj myslimanëve shqiptarë.
Para mediave, ai i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që ta kryejë punën e saj dhe të mos e humbas besimin e popullit.
Ndër të tjera, Bytyqi tha se janë dorëzuar rreth 25 prova që dëshmojnë thirrjet nxitëse të Belisar Jezercit.
“Sapo dorëzuam kallëzimin penal ndaj Belisar Jezerci, i cili ka bërë thirrje publike për shfarosje dhe spastrim etnik të muslimanëve shqiptarë në Kosovë, i cili së bashku me “Lëvizjen për rikthim” i shërben projekteve shekullore të Serbisë për përçarjen dhe vëllavrasjen e shqiptarëve mbi baza fetare”, ka thënë avokati Bytyqi.
“[Prokuroria] ta kryen detyrën e saj që ia përcakton kushtetuta dhe ligji. Ne presim që ky institucion duke e ditur që i kemi dorëzuar rreth 25 prova për zotëri Belisar, presim që Prokuroria Speciale ta ketë zellin edhe ndaj kësaj çështje. Të mos e humb besimin”, tha avokati.






