Saktësisht 31 ditë pas dakordimit në Ohër, Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia themeluan Komitetin e Përbashkët Mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të saj.
Komiteti u themelua pas takimeve të ndara dhe në distancë, që përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, zhvilloi të martën me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic.
“BE-ja, si lehtësues i Dialogut Beograd-Prishtinë, bashkë me Kosovën dhe Serbinë, si palë në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, sot kanë themeluar Komitetin e Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të zbatimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Ambasadori në Bruksel, Agron Bajrami, do të përfaqësojë Kosovën, ndërsa Petar Pektovic Serbinë, në këtë Komitet që do të udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak.
Dakordim është arritur edhe për datën e takimit të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.
“Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e referencës pritet të finalizohen dhe të miratohen në takimin e parë të Komitetit, që do të ndodhë pas takimit të radhës të nivelit të lartë në Dialog, që është caktuar për të martën, më 2 Maj, në Bruksel”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Megjithatë, as Bashkimi Evropian e as ekipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi nuk treguan nëse palët janë dakorduar për draft-dokumentin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes, që pritet të prezantohet në takimin e liderëve shtetërorë. /atvlive.tv