Përmbysje spektakolare në “Liman Gegaj”, Llapi mposht Malishevën dhe regjistron fitoren e tretë radhazi

Llapi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Malishevës, duke triumfuar me rezultat 3-2 në kuadër të javës së 15-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina bëri një përmbysje të madhe në stadiumin “Liman Gegaj”, pasi arriti të rikthehej nga disavantazhi prej një goli dhe të siguronte tri pikë të vlefshme. Ky ishte triumfi i tretë radhazi për ekipin nga Podujeva.
Reklamë
Malisheva e nisi më mirë takimin dhe pjesën e parë e mbylli me epërsi 2-1.
Xhemal Ibishi zhbllokoi rezultatin në minutën e 23-të, por gëzimi i vendasve zgjati vetëm dy minuta, pasi Fiton Ademi realizoi për 1-1.
Në minutën e 40-të, Kreshnik Uka riktheu epërsinë e Malishevës, duke shënuar për 2-1 dhe duke i dërguar vendasit në pushim me avantazh.
Megjithatë, në pjesën e dytë Llapi tregoi një fytyrë tjetër, duke marrë iniciativën dhe duke ushtruar presion në kërkim të përmbysjes.
Fiton Ademi realizoi golin e barazimit në minutën e 61-të, ndërsa fitoren e madhe të mysafirëve e vulosi Pjero Skaric, i cili shënoi në minutën e 82-të për rezultatin përfundimtar 3-2.
Me këtë fitore, Llapi ngjitet nga pozita e nëntë në të tetën e tabelës, duke grumbulluar 14 pikë. Në anën tjetër, Malisheva mbetet në vendin e dytë me 30 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Malisheva do të përballet në udhëtim me Ballkanin, ndërsa Llapi do të jetë nikoqir i Drenicës.
Reklamë











