Lajm bombastik: Marc Marquez njofton tërheqjen nga MotoGP, Valencia gara e fundit në karrierë

Marc Marquez ka befasuar botën e motorsportit me një vendim të papritur, duke njoftuar tërheqjen nga Botërori i MotoGP. Piloti spanjoll, i cili sapo ka fituar titullin e tij të 10-të kampion bote, e bëri të ditur vendimin gjatë provave të lira të Çmimit të Madh të Valencias.
Marquez zgjodhi një mënyrë të pazakontë për të komunikuar lajmin, duke shfaqur para kamerave një pankartë me mbishkrimin: “Kjo do të jetë gara ime e fundit në MotoGP”.
Reklamë
Menjëherë pas këtij njoftimi reagoi edhe skuadra Ducati Lenovo, e cila konfirmoi zyrtarisht vendimin e pilotit 33-vjeçar.
“Është zyrtare. Marc Marquez ka vendosur të tërhiqet nga garat e MotoGP dhe Çmimi i Madh i Valencias 2026 do të jetë gara e fundit në karrierën e tij sportive si pilot profesionist me Ducati Lenovo”, thuhet në komunikatën e skuadrës italiane.
Në këtë mënyrë, Marquez i jep fund një karriere të jashtëzakonshme, duke u larguar nga MotoGP në majën më të lartë të suksesit. Që nga debutimi i tij në vitin 2008, spanjolli ndërtoi një karrierë që e shndërroi në njërin prej pilotëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.
Në 19 sezone, ai ka fituar gjithsej 10 tituj botërorë: një në kategorinë 125cc në vitin 2010, një në Moto2 në vitin 2012 dhe tetë në MotoGP, në vitet 2013, 2014, 2016, 2017, 2018, 2019, 2025 dhe 2026.
Palmaresi i tij përfshin gjithashtu 106 fitore, prej të cilave 80 në MotoGP, 134 podiume dhe 78 pole position.
Karriera e Marquez nuk ka qenë e lehtë. Dëmtimi i rëndë në krahun e djathtë, i pësuar në Jerez në vitin 2020, shënoi fillimin e një periudhe të vështirë, gjatë së cilës iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale.
Pas 11 sezonesh me Hondën, spanjolli u largua nga skuadra japoneze në fund të vitit 2023 për t’iu bashkuar Gresinit. Ky ishte një hap i rëndësishëm në rikthimin e tij në nivelet më të larta, që më pas i siguroi kalimin te skuadra zyrtare e Ducatit.
Me Ducatin, Marquez riktheu titullin kampion në vitin 2025, gjashtë vjet pas triumfit të tij të fundit, ndërsa në vitin 2026 arriti të mbrojë kurorën pas një rikthimi spektakolar prej 102 pikësh, duke realizuar përmbysjen më të madhe në historinë e MotoGP drejt titullit.
Vendimi për t’u tërhequr nënkupton gjithashtu heqjen dorë nga dy vitet e mbetura të kontratës me Ducatin dhe mundësia për të udhëhequr projektin e skuadrës italiane në vitin 2027, kur pritet të hyjnë në fuqi rregullat e reja teknike.
Kështu, ajo që pritej të ishte gara e fundit e një tjetër sezoni historik në Valencia, do të shndërrohet në lamtumirën e një prej sportistëve më të suksesshëm spanjollë të të gjitha kohërave.
Të dielën, numri 93 do të jetë për herë të fundit në startin e një gare të MotoGP.
Reklamë










