Përgatiti: Nora Luta
Vdekja e Astrit Deharit tetë vjet pas, vazhdon të mbetet e pasqaruar.
Avokati i familjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Tomë Gashi, tha për ATV-në se institucionet kanë dështuar në hetimin e këtij rasti.
Sipas avokatit, gjatë këtyre viteve u ndërruan katër prokurorë, e të fundit, Gashi thotë se do t’i adresohen zyrtarisht, duke i kërkuar që rasti të mos zvarritet.
Vetëvendosja, që e udhëheq Qeverinë, katër vjetët e fundit, kishte akuzuar institucionet, duke thënë se kur të vijë në pushtet rasti do të ndriçohet.
Megjithatë, sipas avokatit të familjes, ekzekutivi nuk ndërhyn në punën e organit të akuzës.
Prokuroria Speciale vazhdimisht kishte mohuar se ka pasur manipulim të provave, e për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk ofron detaje. Ekspertiza e vitit 2019 e institutit zviceran, kishte konstatuar se nuk bëhet fjalë për vetëvrasje, ndërsa e dyta kishte konstatuar se analizat e ADN-së nuk kanë treguar profil tjetër, përveç atij të viktimës.
Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në nëntor të 2016-s, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej si i dyshuar për sulm ndaj Kuvendit.