Përgatiti: Fatlum Jashari
Derisa vijojnë ndërprerjet në furnizimin me energji elektrike, Kompania për Distribuim me Energji Elektrike – KEDS vijon me njoftimet e përditshme për kryerje të punëve në zona të caktuara.
Njëkohësisht, vazhdojnë edhe ankesat publike të qytetarëve, të cilët po përballen me ndërprerjet që KESCO refuzon t’i quajë reduktime.
Derisa piku i konsumit, gjatë muajit Nëntor, arriti në 1100 megavatë/orë, sipas KEK-ut, mesatarja e prodhimit në termocentralet e saj është rreth 750 megavatë/orë.
Përveç për investimet e proklamuara, Arton Demhasaj nga “Çohu” ngre dyshime edhe për mbulim të reduktimeve me njoftime për ndërprerje të paralajmëruara.
“Kjo pjesa është manipulim, po shitet te qytetarët që ndërprerja është e planifikuar, për shkak të punimeve në rrjet ose gjëra të tilla. E vërteta është ka reduktim, por nuk duan ta quajnë reduktim, thjesht duan ta emërtojnë ndërprerje e planifikuar për shkak të punimeve në rrjet”, tha Demhasaj.
Zyra e Rregullatorit për Energji nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit lidhur me monitorimin e ndërprerjeve dhe gjetjen eventuale të parregullsive.
Duke kërkuar më shumë transparencë, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, tha se kompanitë përgjegjëse do të duhej të përgatiteshin më mirë për dimër, pasi furnizimi i pandërprerë është obligim me licencë.
“KEDS-i ka të hyra të mjaftueshme për të intervenuar në rrjet dhe inkurajohet që të investojë në ato pjesë ku ka ngarkesë më të madhe, fyte të ngushta më të mëdha, ku rrezikohet furnizimi. Mirëpo, duket se nga ana e KEDS-it nuk është një angazhim i mjaftueshëm në këtë aspekt”, tha Bujupi.
Më 2017, për shkak shkeljeve ndërlidhur me ndërprerje, të cilat konsiderohen rrezikim i sigurisë së furnizimit, ZRRE-ja kishte gjobitur KEDS-in me 45 mijë euro.
Në raportin e fundit vjetor, ZRRE-ja kishte konstatuar se nuk ka përmirësim të gjendjes në raport me ndërprerjet në furnizimin me energji elektrike.
Për më tepër, vitin e kaluar, edhe KOSTT-i edhe KEDS-i kishin raportuar shtim të ndërprerjeve – të planifikuara dhe të paplanifikuara.
Në raportin e monitorimit të punës së KEDS-it, për vitin 2021, i fundit që është publikuar në uebfaqen e ZRRE-së, në disa raste dokumentohen mos-përputhje kohore ndërmjet ndërprerjeve, lejes e punës dhe punëve të kryera.
Në një rast tjetër, ZRRE-ja kishte gjetur mospërputhje kohore ku, sipas lejes, kyçja ishte bërë me datë 13 Dhjetor në orën 15:30, ndërsa sipas raportit kyçja ishte bërë dy ditë më vonë, më 15 Dhjetor në orën 20:08 minuta.
Mospërputhje ishin dokumentuar edhe në shkyçje – ku në një rast të përmendur dallimi është më shumë se gjashtë orë.