Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit, që nis të shtunën më 1 mars.
Në mesazhin e tij tradicional për nisjen e këtij muaji, Tërnava uroi që besimtarëve t’iu pranohet agjërimi, shkruan Radio Evropa e Lirë.
“Me rastin e fillimit të këtij muaji të bekuar, këshilloj motrat dhe vëllezërit e mi kudo që janë që të kenë frikë nga Zoti i madhëruar, të garojnë me vepra të mira, të urojnë njëri-tjetrin për të bërë mirë, të jenë të durueshëm, të ruajnë unitetin e të mos përçahen, të bashkëpunojnë në mirësi, urtësi e devotshmëri si dhe të ruhen nga të gjitha ato mëkate që Zoti i ka ndaluar”, tha Tërnava.
Tërnava tha se Muaji i i Ramazanit është muaj i mirësisë, devotshmërisë, sakrificës dhe faljes së mëkateve. Ai tha se ky muaj për besimtarët myslimanë sjell mirësi e begati, andaj u shpreh se besimtarët porositën “që të shtojmë adhurimin dhe veprat e mira”.
“Zemra e myslimanit është e përgatitur për të hyrë në atmosferën e adhurimit, për ta pastruar shpirtin përmes agjërimit, namazit, sakrificës dhe dhembshurisë për të varfrit dhe nevojtarët, për të arritur kështu devotshmërinë dhe për të reflektuar mbi mësimet e fesë”, tha Tërnava.
Gjatë Muajit të Ramazanit besimtarët myslimanë agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë islame. Muaji i Ramazanit këtë vit nis më 1 mars dhe përfundon më 29 mars. Ndërkaq, më 30 mars besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin./REL