Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Rreth 10 mijë konsumatorë të rijnë u kyçën në rrjetin e Termokos-it, për sezonin ngrohës të dimrit 2024/2025.
“Projekti për zgjerimin dhe rehabilitim e rrjetit të ngrohjes, ka përfunduar në janar, 10 mijë konsumatorë të shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit, Mati 1, në afërsi të parkut të qytetit dhe lagjes Arbëria”, tha zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka.
Uka thotë se janë duke punuar në dyfishimin e kapaciteteve edhe përmes disa projekteve të tjera, por që do të marrin më shumë kohë.
“Ne jemi në proces edhe të projekteve kapitale tjera, siç është solar4kosova, qe pritet të filloj në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm…”, shtoi Uka.
Përmes zgjerimit të rrjetit ngrohës, sipas njohësit të energjisë, Naim Bujupi, reduktohet mungesa e energjisë elektrike.
“Është shumë e rëndësishme edhe më tutje të zgjerohet rrjeti i Termokosit, ka tash lagje të reja, mirëpo zgjerimi ka rëndësi jo vetëm për qytetarët por edhe për sistemin elektroenergjetik, pasi kërkesa rritet shumë për rrymë, i bie që shumë qytetarë e përdorin energjinë për ngrohje, sa më shumë qytetarë që kyçen ndihmon në sigurimin e furnizimit me energji elektrike, zvogëlohet nevoja për import…”, tha Bujupi.
Në plan për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit ngrohës ishin edhe banesat e Bardha në lagjen “Bregu i Diellit” dhe disa shkolla të mesme në afërsi të Stacionit të Autobusëve, por meqë bartja e fondeve prej komunës së Prishtinës u bllokua nga Ministria e Financave, punët u shtynë deri në një afat të pacaktuar.