Numri një në botë në tenisin e femrave, Aryna Sabalenka, ka kurorëzuar dashurinë me një propozim spektakolar martese nga partneri i saj, sipërmarrësi Georgios Frangulis.
Tenistja e njohur bjelloruse, Aryna Sabalenka, ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në jetën e saj këtë herë jashtë fushës së tenisit. Ajo ka pranuar propozimin për martesë nga partneri i saj prej kohësh, Georgios Frangulis.
Lajmi u bë publik përmes një postimi të përbashkët në rrjetet sociale, ku çifti ndau me ndjekësit momentin emocionues. Në një ambient romantik nate, të mbushur me qirinj dhe lule, Sabalenka pranoi unazën e fejesës nga partneri i saj brazilian me origjinë greke. Videoja e propozimit u publikua në Instagram, duke marrë menjëherë mijëra reagime dhe urime.
Frangulis, një sipërmarrës i suksesshëm dhe milioner, është themelues dhe pronar i kompanisë Oakberry, e specializuar në produkte ushqimore të shëndetshme. Çifti ka afro dy vite në lidhje, një romancë që në fillimet e saj u shoqërua me polemika, por që tashmë po kurorëzohet me martesë.
Ky hap shënon një kapitull të ri në jetën personale të tenistes më të mirë në botë, e cila vazhdon të shkëlqejë si në karrierë, ashtu edhe në dashuri.






