PËRGATITI: DONISA FAZLIU
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, të premten do ta bëjë betimin si kryetar i ri i kësaj komune.
Kështu ka njoftuar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, sipas të cilit do të organizohet ceremoni betimi në secilën komunë.
Tri javë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat në veri të vendit, Erden Atiq, të premten do ta bëjë betimin si kryetar i ri i komunës së Mitrovicës Veriore. Këtë e ka bërë të ditur, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ai tha se seancat për betimin e kryetarëve të zgjedhur do të organizohen edhe në tri komuna të tjera..
“Nuk digjet mandati i kryetarëve dhe asamblistëve të komunave. Janë të parapara afatet ligjore që janë tri herë nga 15 dhe mandej prej momentit kur konstituohet Kuvendi, fillon rrjedha e afatit prej 30, për dhënien e betimit të kryetarëve të komunave. Me ta jemi dakorduar individualisht që me secilën komunë do ta organizojmë seancën e betimit të kryetarit dhe aty ku ka nevojë edhe të konstituimit të Kuvendit. Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL që të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut… në sallën e Kuvendit Komunal aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”.
Ndërkaq, Krasniqi tha se janë duke e trajtuar ende vendimin për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
“Vendimi është marrë në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Është aktualisht në Ministrinë tonë në trajtim e sipër, kurdo që përfundon vlerësimi i ligjshmërisë së aktit, ne do ta dërgojmë tek instancat e tjera”.
Erden Atiq u zgjodh kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut me 66,9 për qind të votave të qytetarëve.