Një stuhi dimërore e rëndë ka goditur disa shtete të SHBA-së, duke shkaktuar të paktën 14 vdekje, sipas raportimeve të fundit, megjithëse autoritetet paralajmërojnë se në disa raste është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Në Tennessee, zyrtarët konfirmojnë tre vdekje të lidhura me kushtet e motit, ndërsa në Louisiana janë raportuar dy raste të ngjashme. Në Teksas, një burrë i gjetur në një pikë karburanti mund të ketë vdekur si pasojë e problemeve shëndetësore, kushteve të motit, ose të dyja bashkë. Po në Teksas, një vajzë 16-vjeçare humbi jetën gjatë rrëshqitjes me slita.
Në Massachusetts, një grua vdiq pasi u godit nga një mjet pastrimi bore. Ndërsa në Kansas, një grua u gjet e mbuluar nga bora dhe dyshohet se ka ndërruar jetë nga hipotermia.
Në Nju Jork, kryetari i bashkisë Zohran Mamdani njoftoi se të paktën pesë persona kanë humbur jetën, duke shtuar se “është ende shumë herët për të përcaktuar shkaqet e vdekjes”.
Autoritetet paralajmërojnë qytetarët që të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të jenë të kujdesshëm ndaj kushteve të rrezikshme të motit.






