Një sulm raketor rus e goditi një ndërtesë banimi në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumi, duke i vrarë 11 njerëz, përfshirë dy fëmijë, njoftuan zyrtarët ukrainas të hënën.
Tetëdhjetë e nëntë njerëz, përfshirë 11 fëmijë, u plagosën si pasojë e këtij sulmi në orët e vona të natës së diel, njoftoi shërbimi emergjent shtetëror i Ukrainës.
Sulmi në Sumi i pasoi bombardimet e pareshtura ruse kundër rrjetit energjetik të Ukrainës mëngjesin e së dielës.
Kievi tha se Rusia i përdori 120 raketa dhe 90 dronë gjatë atyre sulmeve, si pasojë e të cilave humbën jetën shtatë njerëz.
“E diela në mbrëmje u bë ferr për qytetin Sumi, një tragjedi që Rusia e solli në tokën tonë”, tha Volodymyr Artyukh, kryetar i administratës ushtarake të Sumit.
Administrata ushtarake e Sumit tha se një sulm tjetër raketor e goditi rrjetin energjetik, duke e lënë qytetin pa rrymë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Forca Ajrore e Ukrainës tha se forcat ruse përdorën raketa të llojit Iskander-M, dhe një raketë të telekomanduar Kh-59, gjatë sulmit të natës.
Më shumë se 400 njerëz u evakuuan nga qyteti, sipas shërbimit emergjent.
Fotografi të postuara në Telegram nga Shërbimi Emergjent Shtetëror i Ukrainës shfaqën zjarrfikësit duke i luftuar zjarret dhe shpëtimtarët duke i bartur njerëzit jashtë ndërtesës.
Prokuroria rajonale e Sumit tha se 90 banesa, 28 vetura, dy institucionale arsimore dhe 13 ndërtesa u dëmtuan nga ky sulm./REL