PËRGATITI: KRENARE MULLIQI
Pas shumë kërkesave për takim, këtë të hënë pritet të takohen përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës me kryeministrin, Albin Kurti. Nga Asociacioni i Komunave thonë se në këtë takim kërkesat e tyre do të jenë të qarta, respektivisht kthimi i të hyrave vetanake dhe rishikimi i ligjit për rritje të faturave për 100 për qind për tatim në pronë.
Të hënën e 15 majit, përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës pritet t’i shkojnë në zyre kryeministrit, Albin Kurti. Ky takim vjen pas gati një muaj prejse Asociacioni i Komunave kërkoi takim me kryeministrin.
Për kërkesat që do të paraqesin, kryetarët e komunave mbajtën të shtunën një takim.
Nga Asociacioni i Komunave të kosovës presin që kërkesat të realizohen.
Komunat e Kosovës tashmë një kohë janë ankuar ndaj vendimit të Ministrisë së Financave për bllokimin e bartjes se të hyrave vetanke të komunave nga vitet paraprake.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama madje ka kërcënuar se do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa në mbledhjen e qeverisë së 10 majit, duke thënë se qeveria ka ndarë buxhet rekord për komunat, kryeministri, Albin Kurti kritikoi se në disa raste, siç tha, niveli i qeverisjes lokale po përdoret si opozitë ndaj nivelit qendror.